Performanca kundër korupsionit | Foto: Lëvizja Fol

Fol me Performancë Çaktivizon Korrupsionin

Një performancë me ombrella kundër korrupsionit e zhvilloi sot Lëvizja Fol në qendër të Prishtinës.

Nëpërmjet këtij aktiviteti, Fol e ktheu nga “on” në “off” korrupsionin.

Performancën e sotme e shpjegoi Jeton Zulfaj nga kjo lëvizje.

“Fjala përfundon me ON që ndërkombëtarisht është sinjal që shpreh diçka aktive. Në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit ne do ta ndryshojmë kuptimin e saj. Sot, po e ndalim korrupsionin, pra nga ON në OFF”, tha Zulfaj.

Ai e tregoi edhe dallimin mes korrupsionit në vendet e varfra në raport me atë në vendet e zhvilluara.

“Në vendet e zhvilluara, korrupsioni asocohet me kravata të bardha dhe individë të pasur e me ndikim, ndërkaq në vendet e varfra ai asociohet me shkatërrim ekonomik, regjime autoritare dhe shpërdorim të burimeve njerëzore dhe natyrore”, tha Zulfaj.

Lëvizja Fol performancën e zhvilloi në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, kur në Kosovë u mbyll java kundër kësaj dukurie.