Ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti | Foto: MF
FOL: Ministri Hoti Ushtroi Presion mbi Agjencitë e Pavarura
Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka refuzuar në mënyrë të paligjshme që të nënshkruajë kontratat të cilat ka qenë i obliguar t’i nënshkruajë. Neni 26 i Ligjit të Prokurimit të vitit 2011 e obligonte Avdullah Hotin që të nënshkruajë kontratat e udhëhequra nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP).
Kështu thuhet në një studim të Lëvizjes FOL i titulluar “(Pa)cenueshmëria e sistemit të prokurimit në Kosovë”.
“Ministri Hoti për 6 muaj ka refuzuar të nënshkruajë tri kontrata me vlerë 12 milionë euro. Kontrata e parë ishte për prokurimin e shërbimeve të transportit ajror për institucionet publike, me vlerë 4.8 milionë euro. Kontrata e dytë ishte për furnizim me material zyrtar të institucioneve publike me vlerë 4.5 milionë euro dhe kontrata e tretë ishte për furnizim me goma të veturave për institucionet publike në vlerë 2.8 milionë euro. Duke refuzuar nënshkrimin e kontratave me vlerë 12 milionë euro ka mundur t’i shkaktojë dëm buxhetit të shtetit”, thuhet në këtë studim të Lëvizjes “FOL”.
Pjesë e këtij studimi është edhe sistemi i prokurimit në Kosovë, për të cilin thuhet se vazhdon të jetë i ndjeshëm ndaj ndikimit politik dhe i cenueshëm nga korrupsioni.
Si rast në këtë studim është marrë rasti Hoti, ku bëhet fjalë për ministrin e Financave, Avdullah Hoti, i cili ka vepruar në mënyrë të paligjshme kur i bëri presion drejtorit të AQP-së, Mursel Rraci, që të zbatojë kontratat pa nënshkrimin e tij dhe sidomos kur ftoi në takim institucionet e pavarura për t’i konsultuar se si të veprojë.
Sipas studimit, më 22 korrik 2016, ministri i Financave, Avdullah Hoti, kishte ftuar në një takim udhëheqësit e institucioneve të pavarura për konsultim. Në këtë takim kishin marrë pjesë Blerim Dina, kryetar i OSHP-së, Sami Uka nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, Besnik Osmani nga Auditori i Përgjithshëm, Mursel Rraci, drejtor i AQP-së.
“Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka ushtruar presion mbi institucionet e pavarura sikurse Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) dhe Auditori i Përgjithshëm, kur i ka ftuar në takim për t’u treguar se si duhet vepruar dhe për të kërkuar këshillim. Ministri Hoti ka dëmtuar integritetin e institucioneve të pavarura. Nga ana tjetër OSHP dhe Auditori i Përgjithshëm kanë vepruar jashtëligjshëm kur kanë marrë pjesë në këtë takim për të këshilluar ministrin për të mos bërë shkelje ligjore”, thuhet po ashtu aty.
Sipas studimit, pas këtij takimi, më 4 gusht 2016, ministri Hoti kishte nënshkruar kontratat të cilat për gati nëntë muaj kishte insistuar që të mos i nënshkruajë. “Mekanizmat institucionalë të prokurimit publik ndihmuan ministrin që të ndryshojë mendimin pas takimit që patën së bashku”, thotë studimi i publikuar sot i Lëvizjes FOL.
http://kallxo.com/agjencite-e-pavarura-nuk-bejne-vete-prokurimet/
Redaktoi: Naser Sertolli