Diskutimi për sinjalizuesit | Foto: KALLXO.com

‘Fol’ Diskuton për Ligjin që Sinjalizuesit i Quan Informatorë

Lëvizja Fol ka prezantuar sot një raport me të gjeturat për Ligjin për Mbrojtjen e Informatorëve në Kosovë.

Në bazë të raportit, Ligji për Mbrojtjen e Informatorëve i njeh sinjalizuesit si informatorë, term ky që merr konotacion negativ në shoqëri duke bërë që sot të ketë koncepte të ndryshme rreth sinjalizimit.

Albulena Haxhiu, kryetare e Komisionit për Legjislacion tha se gjatë mandatit të saj është interesuar sesa të punësuarit e dinë se ekziston një ligj i tillë, por ka hasur në një përgjigje dëshpëruese.

“Prej të gjitha atyre diskutimeve që i kam pasë me punonjësit nëpër institucione kam hasë në një përgjigje dëshpëruese për faktin se një përqindje e vogël e të punësuarve e dinë që ekziston një ligj i tillë  që do të duhej t’i mbronte ata në rast se do të raportonin apo të sinjalizonin ndonjë veprim të kundërligjshëm apo raste të korrupsionit brenda në institucionin ku ata punojnë”, tha Haxhiu.

Ndërsa avokati i popullit Hilmi Jashari tha se shqetësim për këtë institucion është barra e tepërt që i vihet qytetarit dhe shërbyesit civil për të dëshmuar gjatë gjithë procesit.

Në raportin e Lëvizjes “Fol” thuhet se ligji është miratuar pa konsultime, vetëm për ta hequr si kusht të caktuar nga komuniteti ndërkombëtar.

“Është miratuar pa një proces konsultativ duke bërë që autoritetet dhe shoqëria në përgjithësi të mos e kuptojnë atë si dhe të mos e implementojnë në mënyrë të duhur. Në këtë mënyrë nxjerrja e këtij ligji mund të ketë shërbyer për ta hequr nga lista e kushteve të vendosura nga komuniteti ndërkombëtar për Kosovën, por nuk i ka shërbyer qëllimit të tij, e që është mbrojtja e sinjalizuesve”, thuhet në raport.

Afrim Atashi nga Agjencia Kudër Korrupsionit tha se sikurse shumë iniciativa të tjera ligjore që kanë pasur për qëllim parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, edhe Ligji për Mbrojtjen e informatorëve u nis për një ide të tillë.

“Arsyet ishin të shumta, mirëpo arsye dominante ishte sepse në Kosovë informatorët nuk mbrohen sa duhet, ndëshkohen, diskriminohen dhe shantazhohen në forma të ndryshme”, tha Atashi.

Vitin e kaluar Emisioni “Jeta në Kosovë” në tri vazhdimi shfaqi hulumtimin për vjedhjen e organizuar tatimore, ndërsa pjesë e këtij emisioni ishte edhe sinjalizuesi Murat Mehhmeti, inspektor në Administratën Tatimore që pavarësisht presioneve në vendin e punës e shpjegoi këtë vjedhje.

http://kallxo.com/inspektori-tatimor-kallxon-per-vjedhjet-tatimore/

Në vitin 2015 ishte dënuar me 5 mijë euro gjobë Avdullah Thaçi, një ish-punonjës i Pro Credit Bank që zbuloi disa informacione bankare që çuan në akuzimin e Nexhat Çoçajt ish-drejtorit të Arsimit në Prizren për keqpërdorim të Javës së Dëshmorit Remzi Ademaj.