FMN: Donacionet të Përdoren për Zhvillim Ekonomik

Reformat në skemat sociale, arsim e shëndetësi si dhe shfrytëzimi i donacioneve për zhvillim ekonomik ishin porositë e shefes së FMN-së Stephanie Eble në përfundim të vizitës së saj në Kosovë.

Ministri i Financave Bedri Hamza theksoi se me ndihmën e FMN-së, Qeveria ka bërë vazhdimisht reforma në ekonomi.

“Ekonomia e Kosovës ka pasur progres, rritja ekonomike është 4%, që është rritja më e madhe në regjion. Kosova ka deficit buxhetor brenda rregullës fiskale më i ulët se 2%, ne presim rritje të të hyrave sipas planifikimit afërsisht 100%”, tha ministri Hamza.

Por ai shtoi se duke pasur parasysh që Kosova ka papunësi të madhe, me ndihmën e FMN-së janë bërë reforma në ekonomi, si në ngritjen e kapaciteteve njerëzore po ashtu edhe me ndihmë financiare.

“Tani duhet forcuar sektorin privat që është bartës i zhvillimit ekonomik dhe tërheqje të investitorëve të jashtëm. Qeverisja e mirë ka nevojë të përmirësohet, po ashtu duhet të rritet produktiviteti i të punësuarve në sektorin publik”, tha Hamza.

Ushtruesi i detyrës së BQK-së Fehmi Mehmeti theksoi se Kosova ka stabilitet financiar dhe si progres veçoi uljen e normave të kamatave për kredi.

“Kreditë performuese kanë pësuar një rënie dhe ka arritur në 3.6% por llogariten si më të mëdhatë në regjion. Poashtu i kemi informuar se norma e kamatave për kredi ka pësuar rënie, tani kreditë konsumuese kanë normë interesi prej 6.51%, kreditë biznesore kanë normë prej 6.37 dhe ato hipotekare prej 4 deri 6% që është një sukses krahasuar me vitet e kaluara”, tha Mehmeti.

Udhëheqësja e Misionit të FMN-së në Kosovë Stephanie Eble theksoi se Kosova ka shënuar progres në zhvillim ekonomik krahasuar me vitet e mëhershme.

“Kosova ka bërë progres në rritje ekonomike krahasuar me vitin 2015 nga 0.5% në 4%, por ende ka nevojë për uljen e papunësisë te të rinjtë, reformat ligjore po ashtu janë të domosdoshme. Këtë vit duhet të ecet me ndërtimin e termocentralit të ri, rritja e pagës minimale do të vendoset të mbetet në suazat e mekanizmave të parapara me rregullat e saj, bilanci tregtar po ashtu është zvogëluar, autoritetet pritet të rrisin investimet përmes donatorëve”, tha Stephanie Eble.

Për të hyrat dhe shpenzimet, ajo rekomandoi që të hyrat të shtrihen nga inkasimi në Dogana dhe ATK duke luftuar informalitetin, si porositi Qeverinë që programet për përfitime të skemave sociale duhet të reformohen që ato të mos shtohen.

“Reformat në arsim dhe shëndetësi si dhe shfrytëzimi i donacioneve për investime kapitale duhet të jenë prioritet për Kosovën”, porositi StephanieEble.