‘Fluturo n'Prizren, në ma t'bukurin vend’, hapet sezoni i fluturimeve me paragllajd

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka ka njoftuar se sezoni i fluturimeve me paragllajd, sot është hapur zyrtarisht dhe se tashmë qytetarët e turistët, do të mund ta shohin qytetin nga qielli me anë të fluturimeve dyshe.

Ai ka shkruar në Facebook se vlerat e trashëgimisë kulturore të qytetit, janë gërshetuar me turizmin malor përmes fluturimit me paragllajd, i cili është një produkt i ri turistik për qytetit dhe rajonin.

“Prizreni është një prej qyteteve të rralla që mundëson të fluturosh mbi të me paragllajd, dhe këtë përparësi po e shfrytëzojmë duke e shndërruar fluturimin në produkt turistik, për t’i ofruar mundësi të reja qytetarëve dhe turistëve që e adhurojnë adrenalinën”, ka shkruar Haskuka.

I pari i Prizrenit, ka falënderuar PPSE Program Swisscontact dhe aeroklubin Shkaba, të cilët kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti.