Fluturimi i Sokolit Drejt Folesë së “Al Nusras”

Sokol Morina, i akuzuar nga Prokuroria Speciale për veprën penale organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, është paraqitur sot para gjykatës në Pejë, në një seancë ku avokati i tij e ka kundërshtuar aktakuzën.

Hetimet e Prokurorisë Speciale kanë siguruar detaje rreth rrugës të cilën e ndoqën dy të rinj nga Loxha e Pejës për t’iu bashkuar grupit terrorist “Al Nusra”, në Siri.

Prokuroria pretendon se Sokol Morina e Alban Shala në mesin e vitit 2013 udhëtuan nga Aeroporti i Prishtinës për në Stamboll, prej ku më pas vazhduan rrugën për në qytetin Hataj, ku edhe kishin kaluar kufirin turko-sirian ilegalisht dhe kishin shkuar në kampin stërvitor të “Al Nusra”-s në qytetin e Alepos, ku edhe ishin rekrutuar.

Sipas aktakuzës, pas disa luftimesh në qytetin sirian Alepo, Morina ishte plagosur në gju dhe për këtë arsye ishte kthyer përkohësisht në Kosovë, për t’u shëruar. Është kjo kohë kur kishin lindur dyshimet e para të prokurorisë për aktivitetin e tij.

Në seancën e sotme, Asdren Hoxha, mbrojtësi i Sokol Morinës, tha se qëndron pranë kundërshtimit të aktakuzës.

Për KALLXO.com, avokati theksoi se aktakuza është e bazuar në “indikacione” dhe jo në fakte e prova.

“Prokuroria më shumë e ka ngritur aktakuzën në bazë të indikacioneve. Prokuroria pretendon se çdokush që ka qenë në Siri i ka takuar ndonjë organizate terroriste. Por, prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë që identifikon të mbrojturin tim në ndonjë organizatë terroriste” tha avokati i Sokol Morinës.

Mirëpo, avokati thotë se më shumë se aktakuzës së pabazuar i frikësohet

paragjykimeve të trupit gjykues për fajësinë e të mbrojturit të tij. Kjo, pasi që, sipas tij, pjesëmarrja e shtetasve kosovarë në Siri është temë dhe sfidë aktuale.

“Je futur në Siri dhe ti automatikisht duhet të akuzohesh për terrorizëm. Unë mendoj se kjo nuk mjafton. Mendoj se gjykata duhet të gjykojë sipas provave e jo sipas mendimit të gjerë shoqëror”, theksoi ai.

Avokati pretendon se i mbrojturi i tij ka qenë anëtar i “Ushtrisë së Lirë Siriane”, e cila nuk është shpallur si organizatë terroriste.

Ndërsa, prokurori i rastit, Admir Shala, mbeti në tërësi pranë aktakuzës.

Seanca e radhës do të caktohet pasi që gjyqtari Sylë Lokaj të vendosë lidhur me kundërshtimin e aktakuzës nga pala mbrojtëse.

Më 10.9.2014, KALLXO.com ka raportuar se një natë më herët Policia e Kosovës e ka arrestuar një person, i dyshuar se ka marrë pjesë në luftimet në Siri, ku edhe ishte plagosur.

http://kallxo.com/i-plagosuri-ne-luften-e-sirise-arrestohet-ne-kosove/