Shkolla "Nazim Gafurri" - Foto: KALLXO.com

Flet mësuesja e cila pretendohet se shpërndau testin e nxënësve përmes ‘Viber’-it

Shkolla fillore “Nazim Gafurri” në Prishtinë, nesër pritet të mbajë testin e brendshëm të vlerësimit të njohurive të nxënësve të klasës dytë, tretë, katërt dhe pestë.

Një kallxuese ka raportuar në KALLXO.com se një mësuese e klasës së dytë ua ka shpërndarë prindërve të nxënësve të saj një kopje të testit të nesërm përmes “Viber”-it.

Në fotografitë që kishte pranuar redaksia e KALLXO.com mund të shihej se ishte një test dhe përgjigjet e sakta ishin të nënvizuara.

Drejtoresha e shkollës “Nazim Gafurri”, Ardiana Makolli, ka thënë për KALLXO.com se për këtë rast është njoftuar sot nga mësuesja Kosovare Krasniqi, e cila kishte treguar që mbrëmë ka pranuar një telefonatë anonime përmes të cilës akuzohej për vjedhjen e testit dhe shpërndarjen e tij.

Makolli tha se këtë rast do ta lajmërojë në Polici nëse ky person nuk lajmërohet deri nesër.

“Këto janë dezinformata sepse testin nuk e kam as unë në zyrë të drejtorisë sepse ai nuk është përfunduar ende. Secila mësuese i ka bërë nga 50 pyetje, ne jemi duke i përpunuar dhe ato nuk janë përfunduar ende, pra nuk kanë pasur se si me i marrë sepse nuk ekziston ende testi”, ka thënë ajo.

Secila nga mësueset kanë qenë të obliguara t’i formulojnë nga 50 pyetje për lëndën e caktuar, thotë drejtoresha Makolli.

Ndarja e këtyre 50 pyetjeve me klasën është gjë normale theksoi ajo, është praktikë që e përdorin çdo vit sepse i njoftojnë nxënësit me formën e testit.

“Ka pasur të drejtë secila mësuese me ia shpërnda klasës së vet pyetjet, por ato nuk e dinë cilat pyetje kanë me ra. Testin si test nuk e ka asnjëra prej mësueseve sepse as unë ende nuk e kam. Ne e kemi lënë deri ditën e fundit që mos me mujtë me ndërhy askush”, përfundoi Makolli.

Mësuesja Kosovare Krasniqi rrëfen se si kishte pranuar thirrje telefonike rreth orës 23:00, përmes së cilës një grua e kishte akuzuar për vjedhjen e testit të vlerësimit dhe shpërndarjen e tij me prindërit e nxënësve të klasës së saj.

Krasniqi tha se kishte kërkuar nga bashkëbiseduesja që të tregojë identitetin e saj që ta dijë se a është prind i ndonjërit prej fëmijëve në klasën e saj dhe se cila është urgjenca që ta shqetësojë atë në mbrëmje, por siç tregon ajo nuk kishte pranuar përgjigje.

“Ajo më tha nesër kam me të lajmëru, kam me i marrë testet që i ke ushtru me nxënës, që i ke vjedhur në zyrë të drejtoreshës. Unë i thashë zonjë nuk kam vjedhur teste, ne i kemi përpiluar disa pyetje e ato pyetje i kemi shpërnda nëpër kolege edhe i kemi ushtru fëmijët. Pyetjet e testit që janë në drejtori as s’i kam vjedh e as s’i kam pa”, rrëfen ajo.

Kjo mësuese thotë se pasi i kishte ndërprerë telefonatën, ajo i kishte dërguar mesazh duke iu drejtuar me këto fjalë: “Ti je hajne ja ke vjedh drejtoreshës testet, turp për ty çfarë mësuese je, ki me i marr dokumentet e ki me shku në shpi”.

Mësueset e klasave të dyta, Zejnepe Kamerolli dhe Gëzime Fejzullahu gjithashtu thanë se testi nuk ka mundur të ndahet sepse askush nuk ka qasje në atë test dhe të vetmet pyetje që janë shpërndarë janë ato që kanë shkëmbyer me njëra-tjetrën nga lëndë të ndryshme në mënyrë që të ushtrojnë me nxënësit e tyre.

“Pyetësor kemi bërë por testin krejt të përpiluar e bëjnë grupi punues i klasave të para, në të cilin ne nuk jemi pjesë e tij. Neve na duhet dëshmi që është ndarë sepse ai mund të jetë vetëm mendim i një prindi apo kushdo qoftë ai që ka qenë”, tha mësuesja Gëzime Fejzullahu për KALLXO.com.

Këtë vit mësueset e klasave të para i zgjedhin pyetjet e formuluara nga mësueset e klasave të dyta, nxënësit e të cilave do të testohen dhe kjo bëhet për arsye se klasat e para nuk janë të përfshira në këtë test.

Kur jemi te pyetjet të cilat kanë qarkulluar dhe janë nënkuptuar si pyetje të testit final sipas këtyre mësueseve, janë pyetjet të cilat mësueset vetë i kanë formuluar e që janë së paku 50 pyetje për secilën lëndë.

Ndërsa, veçanërisht klasat e dyta sipas drejtoreshës, kanë 50 pyetje gjithsej në këtë test sepse janë 20 pyetje për Gjuhë Shqipe, 20 për Matematikë dhe 10 nga lënda Njeriu dhe Natyra.

Zëvendësdrejtori i kësaj shkolle, Arif Abazi, tha për KALLXO.com se testi vlen vetëm për vlerësim të brendshëm në mënyrë që ta kenë një pasqyrë si shkollë se në cilat lëndë nxënësit janë më të dobët e në cilat më të mirë.

Ky lloj testi mbahet dy herë në vit nga shkolla “Nazim Gafurri”. Për klasat nga e dyta deri tek e pesta mbahet dy herë në vit, në muajin prill dhe në muajin dhjetor. Ndërkaq, për ciklin e lartë mbahet në janar.