Arben Fetahu, kryetar i FBK-së. Foto: FBK

Flet kryetari i Federatës së Basketbollit: ‘Partizani’ i Beogradit nuk kishte ftesë

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ka thënë se basketbollistët dhe stafi i klubit ‘Partizani’ nga Beogradi nuk kanë pasur ftesë që të vijnë për të luajtur në Kosovë.

Më herët KALLXO.com raportoi se basketbollistët dhe stafi i klubit janë ndaluar në pikën kufitare në Jarinjë, në veri të Kosovës.

Fetahu për KALLXO.com tha se këtë gjë e kanë kuptuar vetëm përmes Policisë së Kosovës, të cilët i kanë kthyer në pikën kufitare në Jarinjë.

“Nga informatat që i kam unë policia na ka dërgu kërkesë apo pyetje se a ka ndonjë ftesë nga ana e Kosovës për këtë klub edhe ne natyrisht nuk kemi qenë në dijeni as s’kemi pasur ftesë për organizimin e garave në Kosovë dhe i kemi treguar këtë gjë policisë, por informacione shtesë do të japim pasi të marrim raportin e Policisë së çfarë ka ndodhur saktë atje”, ka deklaruar Fetahu për KALLXO.com.

Klubi i “Partizanit” kishin planifikuar që sot të luanin një ndeshje kundër klubit “Trepça” të Mitrovicës së Veriut, klub me të cilin, sipas mediave serbe, janë të ‘vëllazëruar’ që nga viti 2014.

https://kallxo.com/basketbollistet-e-partizanit-te-beogradit-nuk-lejohen-te-hyjne-ne-kosove/