Jonuz Salihu foto KALLXOcom

Flet Drejtori i shkarkuar i Arsimit: Mua nuk mund të më përdorin

Ish-drejtori i Arsimit në Prishtinë, Jonuz Salihaj, i cili u shkarkua nga kjo pozitë me kërkesë së partisë së tij AAK-së, tha se u largua nga kjo detyrë për shkak se nuk ka pranuar ndërhyrje në punën e tij.

“Nuk ka ndonjë arsye përveç të disa pakënaqësive që ka pasur kjo parti, nuk ka ndonjë arsye serioze. Unë kam pasur parime që nuk do të regjistroj fëmijë të personave të partisë dhe kam thënë që nuk do të mund të më ndërhyjnë. Dikujt nuk i ka pëlqyer kjo punë, kanë menduar që mund të më përdorin si instrument dhe mua ashtu nuk më përdorë askush. Ajo ka qenë arsyja, jo ndonjë arsye tjetër, unë kam punuar mirë por kjo punë nuk i ka pëlqyer dikujt”, tha ai për KALLXO.com.

Lidhur me deklaratat e Kryetarit të Degës së AAK-së në Prishtinë, Brahim Mehmetaj se ai nuk ka qenë përgatitur profesionalisht, Salihaj tha  se Mehmetaj kishte tentuar që ta “kontrollojë atë”.

“Ai së pari s’ka përgatitje për vete, nuk mundet me më vlerësu mua, këto vlerësime i bën kryetari i Komunës, pyetne atë. Kjo ka qenë personale, ai ka menduar që mundet me më kontrollu mua, po mua nuk mundet më më kontrollu një njeri i tillë”, tha Salihaj.

Ndërsa gjatë ditës së djeshme, Brahim Mehmetaj në një postim në Facebook tha se kanë kërkuar shkarkimin e Salihajt për shkak të nivelit të tij të performancës dhe ankesave të shumta nga qytetarët.

“Kryesia e Degës dhe Këshilli Drejtues i Degës së AAK-së në Prishtinë ka përcjellur në vazhdimësi punën dhe performancën e të gjithë Drejtoreve të emëruar nga AAK në Prishtinë. Pas shumë ankesave të qytetarëve në adresë të z. Jonuz Salihut për mospërgjigje, për mospërfillje, për anashkalime dhe injorim, gjithashtu në bazë të analizës së ekspertëve tanë të arsimit, niveli i tij i performancës profesionale nuk ka qenë i kënaqshëm.

Këshilli Drejtues i Degës së AAK-së në Prishtinë me votim unanim ka kërkuar nga z. Shpend Ahmeti largimin nga detyra e Drejtorit te Arsimit, z.Januz Salihaj”, ka shkruar Mehmetaj.

https://kallxo.com/aak-ja-sqaron-pse-kerkoi-shkarkimin-e-jonuz-salihajt/

Ai po ashtu ka mohuar edhe ndërhyrjet e partisë në këtë drejtori.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti tha sot para mediave se këtë drejtori tani e tutje do ta udhëheqë një person i PSD-së, që pritet të emërohet së shpejti.

https://kallxo.com/shpend-ahmeti-flet-per-largimin-e-jonuz-salihajt-nga-drejtoria-per-arsim/