Fotografimi i rëntgenit i Arsim Llugiqit.

Flet i Aksidentuari që Gati Vdiq nga Neglizhenca e Mjekëve

Në emisionin e sotëm “Jeta në Kosovë”, mund të ndiqni hulumtimin mbi diagnozat kundërthënëse që iu bënë një qytetari të Kosovës nga QKUK dhe një spital privat në Shkup.

Nga impakti i goditjes nga vetura në natën e 3 prillit, Arsim Llugiqi u pranua në emergjencën e QKUK-së dhe më pas në Klinën Torakale nga ku u lirua ditën e nesërme me fletëlëshim të kirurgëve.

Llugiqi thotë se shumë shpejt pas këtij lirimi gjendja shëndetësore ju keqësua dhe pas disa analizave tjera në klinika private në Kosovë ai u nis për në spitalin privat “Filipi i dytë”, në Shkup të Maqedonisë ku u operua si rast emergjent.

Përderisa në QKUK i thanë se gjendja e tij është mjaftueshëm stabile për të vazhduar trajtimin në shtëpi pa ndërhyrje kirurgjike, në spitalin “Filipi i Dytë”, atij i thanë se kishte vetëm 30 përqind gjasa të jetonte.

Në Klinikën Torakale të QKUK-së është konstatuar thyerja e brinjëve të Llugiqit por thonë se nuk ka pasur dëmtime të theksuara të mushkërive.

Arsim Llugiqi

Ndërkaq , Doktori Zhan Mitrev që e ka operuar Llugiqin në Shkup thotë se disa prej brinjëve të thyera të pacientit kishin depërtuar në mushkëritë e tij duke rrezikuar komplikime të tjera në shëndetin e pacientit.

Llugiqi thotë se ndjehet i zhgënjyer nga kjo pasiguri shëndetësore dhe kërkon përgjegjësi nga kushdo që e ka gabuar diagnozën e tij.

Emisionin e plotë “Jeta në Kosovë”, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm: