Flamur Mrasori - Foto: BQK

Flamur Mrasori, Kryetar i Bordit të BQK-së

Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës sot me shumicë votash ka zgjedhur profesorin universitar, Flamur Mrasori, kryetar të Bordit të BQK-së.

Sipas njoftimit të publikuar nga BQK, Mrasori ka ushtruar qe 11 vjet funksione të rëndësishme në këtë institucion, përfshirë atë të sekretarit të Bordit Ekzekutiv dhe të këshilltarit të guvernatorit.

Gjatë kësaj kohe, ai ishte i përfshirë në të gjitha proceset e rëndësishme për realizimin e objektivave të BQK-së.

Si kryesues i Komisionit për Integrime Europiane të BQK-së, Flamur Mrasori ishte pjesëmarrës në procesin e dialogimit të MSA-së ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian.

Po ashtu, ai ishte pjesëmarrës i rregullt i delegacionit të BQK-së në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Ndërsa, dy herë ka qenë zëvëndësguvernator i përkohshëm i Republikës së Kosovës në FMN gjatë takimeve vjetore.

Më datë 26 janar 2018 është zgjedhur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe më datë 5 shkurt 2018 është emëruar nga presidenti i Republikës në pozitën anëtar joekzekutiv i Bordit të Bankës Qendrore.