Gjykimi për vrasjen e Naim Hajrizit | Foto: KALLXO.com

Fjalosje në gjykimin për vrasjen e Naim Hajrizit

Familjarë të Naim Hajrizit kanë drejtuar fjalë të ashpra dhe fyese ndaj të afërmve të të akuzuarit Gëzim Retkoceri dhe vetë të akuzuarit.

Seanca e gjykimit për vrasjen e Naim Hajrizit, në lidhje me të cilën akuzohen Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu kaloi me shumë momente tensionuese.

Në fund të seancës njëri nga të afërmit e Naim Hajrizit iu drejtua me fjalë të ashpra një familjari të të akuzuarit Retkoceri.

“Ty vec kos të nxafsha, ka me të rrjep, laperi i zi”, tha familjari i të ndjerit Hajrizi.

Pastaj policia ndërhyri dhe largoi familjarët e Hajrizit, ndërsa pastaj reagoi edhe i akuzuari Retkoceri.

“Nuk ka sen qe s’na u ka ba prej policisë e prej trupit të kaluar gjykues, unë nuk i tutna drejtësisë prej këtij trupi gjykues”, tha Retkoceri.

Ai më tutje shpërtheu me fjalët: “Me ma shajtë dajën, a, me ma shajtë familjen”.

Prokuroria akuzon Gëzim Retkocerin dhe Osman Spahiun se më 29 prill të vitit 2009 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e kanë rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizi dhe pastaj e kanë goditur me mjete të forta duke e mbytur.

Spahiu dhe Retkoceri në korrik të vitit 2015 ishin dënuar me nga 30 vjet burgim por pas ankesës së mbrojtjes Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.

KALLXO.com shkroi edhe për tensione tjera të mëhershme në këtë proces gjyqësor.