Fjala Përfundimtare në Gjykimin për Mashtrim

Xhemajli akuzohet se më 1 maj të vitit 2011 me rastin e blerjes së një parcele ka mashtruar të dëmtuarin Agim Agaj, duke i thënë që pagesën për këtë blerje do ta bëjë pasi prona t’i bartet në emrin e tij.

Sipas prokurorisë pas kësaj bartjeje, i akuzuari Xhemajli i dha të dëmtuarit vetëm 5 mijë euro, ndërsa 33 mijë të tjera nuk ia dha kurrë.

Seanca gjyqësore kundër Xhemajlit nisi me vonesë, pasi prokurorja Bahtie Ademi nuk erdhi me kohë në gjykatë.

Ajo pastaj në një fjalë të shkurtër përfundimtare kërkoi nga gjykata që në bazë të deklarimit të të dëmtuarit, fjalëve të të akuzuarit dhe provave të shqyrtuara ta dënojë Ridvan Xhemajlin. Edhe Selami Rexhepi, avokati i të dëmtuarit Agim Agaj përkrahu fjalën e prokurores.

Por në fjalën e tij përfundimtare, Ymer Huruglica avokati i të akuzuarit Xhemajli tha se ka pritur që prokuroria të heqë dorë nga aktakuza.

“Kom pritë që prokuroria do të heqë dorë nga aktakuza, sepse në këtë rast prokuroria s’ka arritë me dëshmu asnjëherë që i mbrojturi im është fajtor,” tha Huruglica.

Ai përdori një fjalë popullore për të shprehur mospajtimin e tij me këtë proces gjyqësor.

“Se di, në këtë gjykatë a po flasim për lisa a për fshisa, sepse ne duhet ta dijmë se çka është vepër penale dhe çka s’është vepër penale dhe në këtë rast kemi të bëjmë me çështje civile,” shtoi Huruglica.

“Po kemi pasë shqyrtimin e fundit gjyqësor ku kemi paraqitur fjalët përfundimtare, fjala është për një vepër penale të mashtrimit, ku sipas mbrojtjes nuk ka asnjë element të kësaj vepreje penale për të cilën prokurori mbeti deri në fund të aktakuzës,” tha Huruglica.

Ai bëri të ditur se as në aktakuzë nuk precizohet se çfarë ka bërë i akuzuari.

“Nuk kemi as fshehje të fakteve as heshtjen e fakteve, apo ndonjë element tjetër që e bon përgjegjës klientin tim, përndryshe edhe nëse më afër e vlerësojmë edhe dispozitivin e aktakuzës, edhe në dispozitiv të kësaj aktakuze nuk përshkruhet se cilat janë veprimet në të cilat mbështetet kjo aktakuzë, përkatësisht cilat janë pikat e aktakuzës të cilat bojnë që të ekziston vepra penale,” tha Huruglica.

Seanca e radhës u caktua më 21 prill. [interaction id=”56cd93058f0287d70a76ad16″]