Kallxo 360 Hajdari: Lumezi nuk po Hakmerret Ndaj Hasanit

Në këtë gjykim ku për mashtrim po akuzohen përveç Hasanit edhe Hakif Veliu e Albert Rakipi, dëshmoi edhe Shpresa Hoxha që ishte kryetare e komisionit që nënshkroi raportin e cilësisë së përkthimeve për UP-në.

Ajo tha se ky komision ishte formuar nga Rektorati dhe roli i tij ishte vlerësimi i cilësisë së përkthimeve

Hoxha, profesoreshë në Fakultetin Ekonomik tha se vendimin për caktim si kryetare e komisionit e kishte pranuar në formë të shkruar fizikisht drejtpërdrejt nga i akuzuari Hakif Veliu.

Dëshmitarja Hoxha më pas tha se raportin e kishte nënshkruar pasi që ja kishte ofruar Hakif Veliu dhe atë në zyrën e këtij të fundit dhe me sa më kujtohet ai ka qenë i përpiluar dhe ne anëtarët e komisionit e kemi nënshkruar.

Hoxha tha se në asnjë formë nuk kishte qenë përgjegjëse për pagesën, por vetëm për cilësinë e përkthimeve si anëtare e komisionit.

12:05

Në gjykimin e Enver Hasanit dëshmoi edhe profesori Afrim Hoti.

Hoti tha se ishte caktuar si anëtar i komisionit për vlerësimin e përkthimit të materialeve në cilësinë e profesorit anglishfolës

Ai deklaroi se kur ka qenë pjesë e komisionit asnjëherë nuk është diskutuar për mënyrën e pagesës se përkthimeve.

Hoti tregoi se Shpresa Hoxha ishte kryetare e komisionit dhe Lindita Tahiri anëtare.

Sipas Hotit komisioni i kishte rekomanduar Zyrës së Financave që librat janë në rregull, cilësia e përkthimeve është e mirë dhe mund të procedohet me pagesën por pa specifikuar pagesën.

Enver Hasani tha se në kohën kur është bërë raporti i komisionit për librat në korrik 2009, nuk ishte rektor, por në Gjykatën Kushtetuese.

Për Hotin nuk patën pyetje avokatët e të akuzuarve.

11:02

Pas Bajram Tmavës, fjalën hyrëse e dha edhe Gazmend Nushi, avokati i Albert Rakipit

Jemi pjesëmarrës në një proces të iniciuar me një aktakuzë të sajuar jo mbi bazën e vkerësimeve të drejta të provave materiale apo perceptimit të drejtë të gjendjes faktike reale, por mbi bazën e vlerësimeve dhe përceptimeve të gabuara të autorit të saj.

10:30

Edhe pse fjalën e tij hyrëse e ka përgatitur me shkrim, Bajram Tmava, avokati i Enver Hasanit tha se fjala hyrëse e prokurores e irritoi, prandaj vendosi të flasë.

“Fjala e prokurores më shumë i gjason fjalës përfundimtare. Është përshkrim i aktakuzës dhe tregim i historikut,” tha avokati Tmava.

Tmava tha se nuk është pjesë e gjykimit deklarimi i Enver Hasanit për medie.

“Më befason paraqitja e prokurores që e analizon paraqitjen e të dyshuarit Enver Hasani në prokurori dhe media ku gjoja ka aluduar se është hakmarrje e Aleksandër Lumezit, e kjo nuk është aspak çështje e gjykimit,” tha Tmava.

“Ne pikërisht me provat e prokurorisë do ta dëshmojmë në këtë gjykim pafajësinë e të mbrojturit tim,” tha Tmava.

10:04

Në gjykimin e Enver Hasanit fjalën hyrëse po e jep prokurorja Drita Hajdari.

Prokurorja i propozoi gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit.

Para se ta niste këtë fjalë prokurorja, Enver Hasani, Hakif Veliu e Albert Rakipi u deklaruan edhe njëherë të pafajshëm.

“Deklarimet e Enver Hasani se aktakuza e ngritur ndaj tij është hakmarrje nga Aleksander Lumezi janë paushalle sepse hetimet për kete rast kanë filluar shume kohë para se te dekretohej Lumezi,” tha prokurorja Hajdari.

Në dhjetor të vitit të kaluar Enver Hasani akuzoi kryeprokurorin Aleksandër Lumezi për aktakuzën e ngritur ndaj tij.

http://kallxo.com/enver-hasani-akuzon-kryeprokurorin-lumezi-per-aktakuzen-video/

09:44

Në gjykimin ku bashkë me Hasanin akuzohen po për mashtrim edhe Hakif Veliu e Albert Rakipi, pritet të jepet fjala hyrëse.

Dëshmitarë në gjykimin e sotëm do të jenë Afrim Hoti e Marjan Dema.

Hasani, Veliu e Rakipi akuzohen në lidhje përkthimin e disa librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe për nevojat e UP-së.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Hasani në cilësinë e rektorit të UP-së, Hakif Veliu si shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN), si persona zyrtarë dyshohet se kanë falsifikuar kontratën origjinale “Përkthimi i Librave nga Gjuha Angleze në Gjuhën Shqipe për Nevojat e Universitetit të Prishtinës” të datës 5 dhjetor 2008.

Në kontratë vlera e saj ishte përcaktuar 500 mijë euro, ndërsa çmimi i pagesës për njësi -1000 fjalë 12.65 euro.

Gjithnjë sipas aktakuzës së prokurorisë, të pandehurit sipas marrëveshjes paraprake kanë lidhur një kontratë të re në të cilën kanë shfrytëzuar numrin e njëjtë të protokollit dhe datën e njëjtë të kontratës origjinale duke ndryshuar nenin 17 të kontratës, ashtu që në vend të çmimit për njësi-1000 fjalë 12.65 euro, kanë shënuar çmimin për njësi -1000 karaktere 12.65 euro.

Në aktakuzë pretendohet se ky ndryshim çmimi i ka mundësuar përfitim më të madh Institutit për Studime Ndërkombëtare.

Në dhjetor të vitit të kaluar Enver Hasani, Hakif Veliu e Albert Rakipi u deklaruan të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

http://kallxo.com/enver-hasani-deklarohet-i-pafajshem/

Seanca e kaluar e këtij gjykim nuk u mbajt, ngase mungoi i akuzuari Albert Rakipi që nuk ishte mirë me shëndet.

http://kallxo.com/enver-hasani-perseri-ne-gjykate/