Ekrem Imamoglu duke festuar fitoren e tij në Stamboll. Foto: Facebook/Ekrem Imamoglu

Fitorja e opozitës në Stamboll sfidon autoritetin e Erdoganit

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan është detyruar të pranojë humbjen në zgjedhjet e përsëritura për kryetar bashkie në qytetin më të madh të Turqisë, në atë që u pa gjerësisht si një test i rëndësishëm i demokracisë turke.

 

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka pësuar një humbje të madhe pasi kandidati i opozitës, Ekrem Imamoglu, fitoi bindshëm në zgjedhjet e mbajtura në Stamboll të dielën.

Imamoglu, nga Partia Popullore Republikane, CHP, mori 54 për qind të votave totale dhe e përfundoi garën me rreth 800,000 vota më shumë sesa rivali i tij sipas rezultateve gjysmë zyrtare.

“Falënderoj 16 milionë banorët e Stambollit. Asnjë parti politike apo një person nuk i ka fituar këto zgjedhje. Ka fituar Turqia. Ka fituar demokracia turke! Banorët e Stambollit mbrojtën demokracinë!”, deklaroi Imamoglu pasi u njoftuan rezultatet e para.

Ish-kryeministri Binali Yildirim, kandidati i përbashkët i koalicionit qeverisës të presidentit Erdogan, mori 45 për qind të votave, më pak se në raundin e parë të votimit më 31 mars.

“E përgëzoj rivalin tim dhe i uroj atij të gjitha të mirat,” tha Yildirim, duke pranuar humbjen menjëherë pas daljes së rezultateve të para.

“Sot u manifestua përsëri vullneti i kombit. Përgëzoj Ekrem Imamoglun, i cili fitoi zgjedhjet, sipas rezultateve jozyrtare,” shkroi presidenti Erdogan në Twitter.

Në mënyrë domethënëse, presidenti nuk foli para kamerave pas zgjedhjeve, siç e ka zakon.

Rezultatet e zgjedhjeve vendore të 31 marsit në qytetin më të madh të Turqisë dhe qendrën ekonomike të saj u anuluan pasi koalicioni i Erdoganit u ankua për parregullsi, pas disfatës së tij. Imamoglu mori 13,000 vota më shumë se rivali i tij i mbështetur nga Erdogani.

Zgjedhjet e rimbajtura u konsideruan gjerësisht si një provë e demokracisë turke, pasi Këshilli i Lartë Zgjedhor i Turqisë, YSK, urdhëroi një rimbajtje të zgjedhjeve në Stamboll. Vendimi u pa si një favor politik për Erdoganin.

Në mënyrë domethënëse, votuesve iu kërkua të zgjidhnin vetëm kryetarin e bashkisë për Stambollin. YSK nuk urdhëroi rivotim për këshillin e qytetit, këshillat komunalë apo kryetarët e komunave.

Ekspertët thanë se rezultatet e zgjedhjeve të dyta në Stamboll kishin potencialin për të sinjalizuar një ndryshim të madh në politikën turke dhe ndoshta të sfidonin pushtetin 17-vjeçar të Erdoganit.

Më shumë se 10.5 milionë njerëz kishin të drejtë të votonin të dielën në 31,124 kuti votimi. Pjesëmarrja në zgjedhje arriti në 84.5 për qind.

Stambolli nuk është kryeqyteti i Turqisë, por është ende qendra e saj kryesore politike dhe ekonomike. Ai është qyteti më i madh në të gjithë Europën dhe Azinë Perëndimore me popullsi prej rreth 16 milionë banorësh, gati 20 për qind e popullsisë së përgjithshme të Turqisë prej 80 milionë banorësh.