First Cut Lab nga ky vit pjesë e Pri-FORUM të Pri-Festit

Me iniciativën e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë (PriFest)  dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës, programi prestigjioz First Cut Lab nga ky vit do të jetë i pranishëm edhe në Kosovë, në kuadër të PriForum, platformës rajonale të industrisë së filmit të PriFest-it.

Përmes një njoftimi për media, Prifest bën të ditur se prania e First Cut Lab në kuadër të PriFORUM-it është një mundësi për filmbërësit kosovarë për të avancuar potencialin artistik të prodhimeve filmike në fazën e postproduksionit (montazhit).

First Cut Lab që do të ndonjë në kuadër të edicioni të sivjetmë të Prifestit bëhet me përkrahjen financiare të QKK-së.

Sipas komunikatës së Prifestit, projektet filmike të metrazhit të gjatë nga Kosova që do të përzgjedhen për të qenë pjesë e këtij programi, do të kenë  mundësi që nga ekspertë të njohur të fushës që do të vijnë në Kosovë, përmes analizës së filmave të tyre të marrin njohuri të veçanta që ju mundëson të avancojnë në sjelljen e një produkti filmik më tërheqës për tregun ndërkombëtar.

First Cut Lab do të ju mundësojë atyre që të kenë shanse më të mira në aspektin e shitjes, duke ju ofruar mundësinë të jenë më konkurrues në festivale të ndryshme ndërkombëtare.

First Cut Lab ka 5 vite që funksionon dhe për këtë periudhë të shkurtër pjesë e këtij programi kanë qenë filma shumë të suksesshëm që kanë marrë pjesë në festivale të kategorisë A në botë, si Berlinale, Karlovy Vary IFF, Toronto Film Festival, Rotterdam Film Festival, etj.

Edicioni i 11-të i PriFest do të mbahet në data 16-22 korrik 2019, ndërsa organizatorët ka filluar përgatitjet e edicionit të ri.