Financimi i dyshimtë i OJQ-ve nga ministria e PDK-së

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka financuar disa OJQ të cilat nuk i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara.

Në tri, nga gjashtë raste të testuara, “Kryqi i Kuq i Kosovës” i cili ka marrë 200 mijë euro, “Shoqata e Bletarëve AMA”  e cila ka përfituar 14,900 euro dhe “Human Care” të cilës i janë ndarë 14,940 euro, nuk i kishin plotësuar kriteret e thirrjes, pasi programi i punës së tyre nuk ishte i fokusuar në fushën e inovacimonit dhe ndërmarrësisë. 

Po ashtu, projektet për të cilat kishin aplikuar, nuk ishin në përputhje me objektivat dhe aktivitetet e caktuara për financim të vendosura në thirrje. Fushë veprimtaritë dhe projektet kishin të bënin me edukimin shëndetësor dhe ngritja e nivelit profesional në fushën e shëndetësisë, sigurimi i shërbimeve humanitare, trajnimet lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë dhe dhënien e këshillave ndaj bletarëve. 

Në tri raste, për OJQ-të e përzgjedhura për financim, “Egnatia” që ishte financuar me 15 mijë euro, “Shoqata e Bletarëve AMA” që kishte marrë 14,900 euro, “Kryqi i Kuq i Kosovës”, të cilit i janë ndarë 200 mijë euro, nuk ishin siguruar dëshmitë mbi CV-të dhe deklaratat për pjesëmarrje të personelit/ekspertëve të cilët aplikuesi ka deklaruar se do t`i angazhojë. 

Në një rast, OJQ “Kryqi i Kuq i Kosovës” që është financuar me 200 mijë euro nuk kishte siguruar tri referenca për projekte të suksesshme. 

Megjithatë, këto OJQ ishin përzgjedhur si përfitues nga komisioni i vlerësimit dhe vlera totale e financimit të tyre nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ishte 244,840 euro.  

Bazuar në udhëzuesin për aplikant për mbështetje financiare për projektet e OJQ-ve në promovimin dhe mbështetjen e inovacionit dhe ndërmarrësisë, si dhe thirrjes publike për aplikim, MIN iu ka bërë thirrje të gjitha OJQ-ve, programi i punës dhe projektet e të cilave janë të fokusuar në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë. 

Aktivitetet që nuk janë të pranueshme për financim, ndër tjera, ishin edhe trajnimet që nuk përkrahin rritjen e aftësive në inovacion dhe teknologji. 

Ndër kriteret e vendosura për përzgjedhje, aplikuesi duhej të dorëzonte të dhëna për personelin kyç, duke siguruar CV-të e tyre së bashku me një deklaratë pranimi nga ana e tyre se do të punojnë për projektin/programin, në rast të përfitimit të mbështetjes financiare.

Kriter tjetër ishte që në rast të angazhimit të ekspertëve të jashtëm, të dorëzojnë deklaratën e pranimit nga ana e tyre se do të angazhohen në projekt për pozitën e caktuar. 

Për OJQ-të të cilat aplikojnë në nivelin 200 mijë euro, të sigurohen 3 referenca për projekte të suksesshme. 

Në raportin e auditimit thuhet se parregullsitë në financimin e OJQ-ve kishin ndodhur si rezultat i pakujdesisë së komisionit të vlerësimit, për t`i vlerësuar aplikacionet e OJQ-ve në pajtim me kërkesat e udhëzuesit.

Sipas Auditorit, pakujdesitë gjatë vlerësimit të aplikacioneve për OJQ-të nga komisioni i vlerësimit, kanë rezultuar me ndarjen e subvencioneve jo në pajtim me kriteret e përcaktuara dhe objektivat e ministrisë. Më tej në raport thuhet se kjo rritë rrezikun që fondet e destinuara për mbështetje të inovacionit dhe ndërmarrësisë, të përdoren për qëllime tjera dhe të mos arrijnë vlerën për para dhe objektivat e ministrisë. 

“Ministri duhet të rritë masat e përgjegjësisë ndaj komisionit të vlerësimit të OJQ-ve, për të siguruar se vlerësimi i aplikacioneve bëhet me përgjegjësi dhe objektivizëm sipas kritereve të përcaktuara dhe kërkesave tjera ligjore”, theksohet në rekomandim. 

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është ministri e sapoformuar dhe ky është auditimi i parë që i është bërë nga ZKA. Në raportin e auditimit për vitin 2018, kjo ministri ka marrë 14 rekomandime, duke filluar nga pasqyrat financiare, subvencionet, investimet kapitale deri te planifikimi dhe realizimi i buxhetit.