Pamje nga ceremonia e finalizimit të projektit “Ndihmë për Tregtinë“ - Foto: KALLXO.com

Finalizohet Projekti që e Bën Administratën më Efikase

Ambasadori ҁek në Kosovë, Ivo Silhavy, është shprehur i lumtur që vendi i tij po ndan përvojat me Ministrinë e Administratës Publike të Kosovës në bërjen e sistemeve informative sa më kompaktibile.

Ai mori pjesë në ceremoninë e finalizimit të projektit “Ndihmë për Tregtinë“, i financuar nga Ministria çeke e Tregtisë, e që ka të bëjë me studimin e fizibiliteti për ndërveprimin e sistemeve elektronike të Qeverisë së Republikës së Kosovës, që lidhen me mjedisin e biznesit.

“Administrata publike e Kosovës me ndërveprimin e saj me qytetarët mund të jetë në maje të Evropës me mënyrën se si komunikon me qytetarët, bizneset dhe ministritë”, tha ambasadori Ivo Silhavy.

Ndërsa, ministri i Administrimit Publik, Mahir Jagxhillar për këtë projekt tha se do të shërbejë si bazë e mirë në zhvillimin e të bërit biznes në Kosovë, do të optimizojë shërbimet e biznesit, do të rrisë transparencën, llogaridhënien dhe efikasitetin.

“Objektivi kryesor i këtij projekti është identifikimi i sistemeve të teknologjisë informative që lidhen me mjedisin biznesor, të cilat shfrytëzohen nga institucionet e Republikës së Kosovës, analiza e këtyre sistemeve si dhe dhënia e rekomandimeve për ndërveprimin ose interoperabilitetin e tyre, unifikimi eventual i softverit dhe hardverit me qëllim të rritjes së efikasitetit të këtyre sistemeve dhe si rezultat përmirësimin e shërbimeve në këtë fushë”, u shpreh ministri.

Ndërsa, Vratislav Datel, i cili prezantoi raportin për projektin, foli edhe për efikasitetin e këtyre reformave në sistemet informative në Republikën Ҫeke dhe për pengesat e hasura në Kosovë gjatë analizës së sistemit informativ.

“Pengesa me e madhe e cila ka penguar komunikimin në mes organizatave si në Kosove edhe në vendet e tjera është inkompaktibiliteti i të dhënave”, tha Vratislav Datel.

Sipas tij, për shkak të këtij inkompaktibiliteti të të dhënave hasen vështirësi të shumta në proceset e vendimmarrjes në administratën publike.

Ai tha që me implementimin e këtij projekti Kosova do të jetë vendi i dytë në Evropë që ka një administratë publike që funksionon kaq mirë.

Redaktoi: Naser Sertolli