Nga konferenca për shtyp e ekipit të filmit "Kësulat". Foto: Kallxo.com

Filmi për Fqinjësinë Shqiptaro- Serbe që Synon Ekranin e BAFTA-s

“Kësulat” është film i zhanrit dramë në të cilin pasqyrohet jeta e dy familjeve, një shqiptare dhe një serbe, shokë dhe fqinj nga i njëjti fshat në Kosovë, të cilët i ndau lufta në vitin 1999.

Filmi është realizuar në Kosovë në dy lokacione të ndryshme të komunës së Podujevës, në fshatrat Pollatë dhe Dumnicë. Kurse postproduksioni është realizuar në Angli.

Producent dhe skenarist i filmit është Jimi Tihofsi kurse regjinë e ka bërë anglezi Alan M Trow.

Tihofsi në një konferencë për shtyp para premierës së filmit ka thënë që Alan M Trow është zgjedhur si regjisor i filmit për shkak se “është shumë kreativ”.

Ai rrëfeu se skenari i këtij filmi ka filluar të shkruhet qysh para 14 viteve kurse përpjekjet për ta kthyer atë në film kanë filluar para 10 vite, e më në fund këto përpjekje u realizuan tani.

“Po pajtohem që është një temë shumë e ndjeshme por për fat të keq po përsëritet në shumë vende të botës” shtoi Tihofsi.

E, sipas tij, ky titull i filmit “Kësulat” është simbolikë e dy nacionaliteteve, serbe dhe shqiptare.

“Çka më ka bërë përshtypje mua është se sa lehtë mundet me ta shpëtu jetën një person. Pra ai momenti midis jetës dhe vdekjes”, shpjegoi skenaristi dhe producenti i filmit Tihofsi.

Kurse njëri nga aktorët që luajnë në rolet kryesore te ky film, Ismail Kasumi ka thënë që ka qenë sfidë për të për shkak se është dashur të flasë në gjuhën serbe për të realizuar rolin e tij.

“Ishte me të vërtetë një ballafaqim me veten, duhet të luaja në gjuhën serbe, diçka shumë ndryshe nga rolet e tjera”, tha Kasumi.

Në rolet kryesore të filmit i cili është realizim shqiptaro-anglez luajnë, Selman Jusufi, Bislim Muqaj, May-Linda Kosumoviq, Ismail Kasumi, Fatime Sefaj, Jimi Tihofsi, Meli Qena, Labinot Lajçi, Furtuna Aliu, Avni Abazi, Besfort Daka dhe Nuhi Matoshi.

Sipas Blerim Kaçiut, edhe ky producent i filmit “Kësulat” është realizuar me buxhet privat dhe pa mbështetje as në Kosovë e as në Angli.

“Kësulat” e serbëve dhe shqiptarëve

“Kësulat” tregon historinë e një mjeku fshati që miqësohet me familjen e vetme serbe në një fshat kosovar dhe trajtohet si një tradhtar.

Alban Bregu është mjeku i fshatit, një shqiptar, pacient i të cilit është edhe Dragan Mulutinoviq, një serb, i cili jeton në fshat me bashkëshorten e tij të re Slavica dhe babain e plakur, Milanin.

Kur Milan bëhet gjithnjë e më i sëmurë, është Albani që është atje për t’i ofruar mjekim dhe mbështetje miqësore. Siç thotë Milan, Albani është një “shqiptar i guximshëm”.

Guximi i Albanit testohet kur ai merr një kërcënim “Ndalo trajtimin e armiqve tanë, ose vdis!”

Sidoqoftë, para se ky kërcënim të bëhet realitet, i gjithë fshati është në panik dhe eksod masiv nga pushtimi i menjëhershëm i ushtrisë serbe.

Dr. Albani dhe nëna e tij Xhevria duhet të largohen. Por babai i tij krenar dhe i patrembur, Tefiku, refuzon të largohet nga shtëpia. “Unë dua ta shoh fytyrën e serbëve që djegin shtëpinë time”, thotë ai pa dyshim.

Albani dhe nëna e tij gjejnë strehë me banorë të tjerë të fshatit në një pyll të afërt.

Këtu vjen Besniku, një aspirant për të qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por ai është një i huaj, i zemëruar dhe jashtëzakonisht i shqetësuar nga vdekja e babait të tij, dhe fajëson të gjithë për gjendjen e tij të vështirë.

Ai e trajton Dr. Albanin si një bashkëpunëtor të serbëve.

Për më tepër, nëna e Besnikut është zhdukur, me frikën se  është vrarë nga serbët.

Pastaj shpërthen ndëshkimi i brendshëm i Besnikut.

Në një tokë ende të trazuar dhe të ndarë të refugjatëve dhe të huajve, a mund të ketë paqe? Kjo është pyetja me të cilën përfundon përshkrimi i filmit “Kësulat” të cilën mund ta lexoni në faqen e filmit në Facebook.

Skenaristi dhe producenti Jimi Tihofsi e ka konfirmuar se filmi “Kësulat” do të jetë pjesë e çmimeve BAFTA (Akademia Britanike e Filmit dhe Arteve Televizive) që do të mbahen në muajin shkurt të vitit 2018.

Premiera e filmit “Kësula” do të shfaqet të shtunën në ora 20:00 në Kinemanë ABC. Ai do të vazhdojë të shfaqet në repertorin e rregullt të Kinemasë ABC, çdo ditë në ora 20:00.

“Kësula” pas premierës së tij në Kinemanë ABC në Prishtinë do të udhëtojë edhe në qytetet e tjera të Kosovës, Prizren, Mitrovicë, Podujevë etj.