Filmi për Adem Jasharin Nxit Polemika

Regjisori Luan Kryeziu ka filluar punën për një film për komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, i cili u vra bashkë me 58 të afërm të tij, ndërsa luftonte në një betejë treditore me forcat serbe në mars të vitit 1998.

Jashari, një nga themeluesit e UÇK-së, është një figurë e rëndësishme në historinë e kohëve të fundit për shqiptarët e Kosovës dhe shihet si hero i luftës së tyre për pavarësi dhe Kryeziu tha se realizimi i filmit ishte një “përgjegjësi kombëtare dhe profesionale” si edhe projekti i tij më i madh deri më tani.

“Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me një figurë të madhe kombëtare, kujdesi dhe angazhimi rritet dhe është po aq i detyrueshëm sa edhe përgjegjësia për cilësinë e punës,” tha Kryeziu për BIRN.

Kryeziu tha se skenari është duke u përfundua me kujdes të veçantë dhe duke i kushtuar vëmendje saktësisë historike.

“Ne jemi orientuar në bazë të informacioneve nga familja, sepse ai informacioni është më i qëndrueshëm dhe më i besueshëm”, tha Kryeziu, duke shtuar se informacionet janë siguruar gjithashtu nga njerëz që kanë punuar me familjen dhe nga historianët.

Asnjë aktor nuk është zgjedhur ende për të luajtur rolin kryesor në film, atë të Adem Jasharit, i cili ishte 42 vjeç kur u vra në fshatin e tij Prekaz.

Por çështja shkaktoi polemika në Kosovë dhe në mediat serbe pas një deklarate nga Kryeziu i cili tha se aktori serb Rade Serbedzija, një yll i madh në kohën e Jugosllavisë, i cili ka luajtur gjithashtu në filma të Hollivudit si “Harry Potter and Deadly Hallows” dhe “Mision i Pamundur 2”, ishte i interesuar të luante rolin e komandantit të UÇK-së.

Serbedzija e mohoi këtë, duke thënë se mediat serbe kishin të drejtë kur i referoheshin Jasharit si “kriminel”.

“Është totalisht e pakuptimtë të më kërkohet të luaj atë rol, ashtu siç është e pakuptimtë të besohet se unë do ta pranoja një ofertë të tillë”, tha Serbedzija për TV N1 të enjten.

Megjithatë, Kryeziu tha se ai nuk donte që Serbedzija të luante rolin e Jasharit.

“Është mëse normale që ai të ndihet keq për refuzimin tim, por nuk e kuptoj se si një artist i një niveli të tillë mund ta quajë Adem Jasharin dhe familjen e tij terroristë”, tha Kryeziu.

Ai u shpreh se do të ishte një privilegj që çdo aktor në botë të luante një rol të tillë dhe se në të ardhmen Jashari do të shihet si “një simbol paqeje dhe i dashurisë për liri”.

Autoritetet e Beogradit nën sundimin e Slobodan Millosheviqit e konsideronin UÇK-në si një grup terrorist dhe e cilësuan Jasharin si një nga liderët e saj.

Duke kujtuar betejën e armatosur të marsit 1998, në të cilën gra dhe fëmijë u qëlluan për vdekje, si edhe ushtarë të UÇK-së, gjenerali jugosllav Nebojsa Pavkoviq tha se ishte “një aksion normal policor kundër një krimineli të njohur”.

Por vrasja shkaktoi një rritje të mbështetjes për UÇK-në dhe inkurajoi shumë shqiptarë të rinj të Kosovës që t’i bashkoheshin forcës guerilase, raportoi BBC.

Ende nuk është caktuar ndonjë datë për përfundimin e filmit, por regjisori Kryeziu shpreson se përgatitjet teknike do të përfundojnë këtë vit.

Ai tha se projekti po merr mbështetje nga institucionet shtetërore të Kosovës, por gjithashtu nga publiku.

“Unë besoj shumë te mbështetja e të gjithëve, pasi filmi konsiderohet të ketë interes kombëtar”, tha ai.