Filmi ‘Nëntori i ftohtë’ hap edicionin e gjashtë të Festivalit 'Mirëdita, Dobar Dan!’

Filmi kosovar “Nëntori i ftohtë”   me regji të Ismet Sijarinës do të hapë edicionin e gjashtë të Festivalit “Mirëdita, dobar dan!’ që hapet nesër, më 29 maj 2019 në Beograd.

Një ngjarje e cila do t’i paraprijë hapjes së këtij festivali do të jetë performanca artistike “Let’s make love” nga Shkumbin Tafilaj.

Festivali “Mirëdita, dobar dan!” është një ngjarje unike e cila që nga 2014 e ka prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës në Beograd.

Përmes një njoftimi për media, organizata INTEGRA, njëra prej organizatorëve të këtij festivali, bën të ditur se këtë viti ky festival do të mbahet nga 29 maji deri më 1 qershor dhe se qëllimi i festivalit është që përmes prezantimit të artistëve dhe performuesve të cilët përfaqësojnë skenën kulturore e bashkëkohore të Kosovës.

Synimi i festivalit, sipas organizatorëve, është që të bashkojnë komunitetet shoqërore e kulturore të Kosovës dhe Serbisë dhe të krijohet një traditë bashkëpunimi, që do të kontribuoj në arritjen e një normalizim të qëndrueshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Këtë vit, festivali zhvillohet në një periudhë specifike, kur marrëdhënia midis Prishtinës dhe Beogradit është në nivelin më të ulët që nga fillimi i Marrëveshjes së Brukselit.

Një krizë e dukshme politike po reflektohet në jetën e përditshme të qytetarëve në Kosovë dhe Serbi, gjë që sipas Integra-s, po dekurajon më tej bashkëpunimin mes dy shoqërive, jo vetëm në sferën kulturore, por edhe në tregti, sport, arsim dhe në të gjithë sektorët e tjerë.

“Festivali i dërgon një mesazh të qartë publikut dhe elitës politike të Kosovës dhe të Serbisë – barrierat duhet të thyhen, jo të ndërtohen”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e  OJQ-së Integra.

Gjatë festivalit, publiku do të ketë mundësinë të shohë filmin dokumentar “Ferdonija”, film ky nga Gazmend Bajri dhe Shkurte Dauti, i cili tregon jetën e një gruaje që ka humbur tërë familjen e saj gjatë luftës së fundit në Kosovë, si dhe  shfaqjen teatrale “Kreolet e Ballkanit” nga  Enver Petrovci.

Po gjatë ditëve të festivalit është paraparë edhe promovimi i tri botime specifike, si “Të jetosh me kujtimet e të pagjeturve”, “One flew over the kosovo theater”  – Një Antologji e Dramës Bashkëkohore nga Kosova, dhe “Historia e Kosovës në tekstet e historisë së Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë”.

Sikurse edicionet e kaluara, edhe këtë vit vizitorët do të kenë mundësi të mësojnë më shumë për skenën kulturore të Kosovës përmes një sërë dramash, shfaqjesh, filmash, koncertesh dhe ekspozitash.

Një pjesë e festivalit do t’i kushtohet diskutimeve dhe debateve për të ardhmen e marrëdhënieve Prishtinë – Beograd dhe rëndësinë e bashkëpunimit për të dy shoqëritë.

Frymëzim për festivalin “Mirëdita, Dobar Dan!” është aktori i mirënjohur shqiptar, kosovar, jugosllav por edhe i tërë botës, Bekim Fehmiu i cili simbolizon unitetin por edhe ndarjen, por gjithashtu edhe mundësinë e bashkimit të dy hapësirave kulturore në një të vetme.

Festivali do të mbahet në disa lokacione. Hyrja, si në vitet e kaluara, do të jetë pa pagesë.

Festivali organizohet nga Integra (Kosovë), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi), dhe Iniciativa Qytetare (Serbi), me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), Fondacioni për Shoqëri të Hapur në Serbi, Rockefeller Brothers Fund (RBF), Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.