Filmi Kosovar Arrin në Hollivud

Filmi “Shok” shënon historinë e kinematografisë kosovare duke u bërë filmi i parë kosovar i nominuar për çmimin “Oscar”.

Konfirmimi është bërë nga vetë organizatorët e njërit prej festivaleve më prestigjioze të filmit botëror, në ditën e ndarjes së nominimeve.

Ky film u nominua për çmimin ‘Best Live Action Short Film’ në edicionin e 88-të Oscar në konkurrencë me filmat Ave Maria, Day One, Everything Will Be Okay dhe Stutterer.

Ngjarja e këtij filmi zhvillohet në Kosovën e vitit 1998, dhe flet për jetën e përditshme të  dy të rinjve. Kur në Kosovë fillon lufta, jetët e tyre mbushen me dhunë dhe frikë, duke bërë kështu që zgjedhjet e tyre të kërcënojnë jo vetëm shoqërinë por edhe familjet e tyre.

Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, e përshëndeti nominimin dhe tha se ky hap shënon suksesin më të madh të industrisë së filmit kosovar deri më tani.

“Kjo është arritja më e madhe e kinematografisë kosovare deri më tani dhe ‘Shok’ tashmë ia ka hapur dyert filmave kosovar që të jenë prezent në ngjarjet më të mëdha të filmit”, tha Zharku.

Filmi “Shok” me skenar dhe regji nga Jamie Donoughue është bashkëprodhim mes Kosovës dhe Anglisë.

Në këtë film luajnë aktorët Lum Veseli, Andi Bajgora, Melihate Qena, Aurita Agushi, Eni Cani, Armond Morina, Eshref Durmishi, Sunaj Raca, Luan Kryeziu, Astrit Kabashi, Xhevdet Jashari, Kushtrim Sheremeti, Fisnik Ademi, Besnik Krapi etj.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të bëhet më 28 shkurt në Hollivud.

shok2