Foto: Ilustrim

Filmi i BIRN për Masakrat në Pejë Shfaqet në Beograd

Të Paidentifikuarit, që jep emrat e zyrtarëve serbë që urdhëruan sulme në fshatrat e Kosovës rreth qytetit të Pejës në 1999 dhe ata të përfshirë në operacionin e mbulimit për fshehjen e trupave të viktimave, do të prezantohet për audiencat serbe për herë të parë më 14 maj në kinemanës e Qendrës Kulturore të Beogradit.

Marija Ristiq, regjisorja e dokumentarit tha se Të Paidentifikuarit ofron detaje të reja rreth një prej krimeve më të këqija të luftës së Kosovës.

“Pas ndjekjes së gjyqit për më shumë se dy vjet, donim të shkonim përtej sallës së gjyqit dhe të tregonim pikëpamjen e viktimave dhe të përgjegjësve për ngjarjet ndaj një audience më të gjerë. Njerëzit që janë në gjyq janë përgjegjësit e drejtpërdrejtë dhe donim të zbulonim se cilët e kanë ideuar gjithçka”, tha Ristiq.

Policia dhe gjeneralë të ushtrisë që dhanë urdhrat nuk janë ndjekur kurrë penalisht në Serbi.

“Është fatkeqësi që 16 vite më pas, viktimat e këtyre krimeve ende duhet të presin për drejtësi”, tha Ristiq.

Të Paidentifikuarit i kthen shikuesit pas në vitin 1999, në fshatrat Lubeniq, Qyshk, Pavlan dhe Zahaq afër Pejës, ku luftëtarët serbë vranë më shumë se 118 civilë shqiptarë. Trupat e tyre u dogjën ose u larguan dhe disa prej tyre u gjetën më vonë në varre masive në qendrën policore në Batajnicë pranë Beogradit në Serbi në vitin 2001.

Filmi i BIRN-it nuk Pranohet të Shfaqet në Serbi

Gjyqi i 11 autorëve që dyshohen se janë të përfshirë në vrasjet – 10 prej të cilëve të akuzuar si autorë të drejtpërdrejtë – vazhdon ende në Beograd, por policët dhe gjeneralët e ushtrisë që dhanë urdhrat nuk janë ndjekur kurrë penalisht në Serbi.

Në shkurt 2014, nëntë prej tyre u dënuan me një total prej 106 vitesh burg, por gjykata e apelit në Beograd e anuloi vendimin në mars, duke e quajtur atë “të pakuptueshëm dhe kontradiktor” dhe e ktheu çështjen për rigjykim.

Filmi është rezultat i një hetim dy-vjeçar, gjatë të cilit një nga sfidat më të mëdha ishte të bindje dëshmitarët të flisnin rreth atyre që panë, tha Ristiç.

“Krimet e luftës janë ende një tabu në Serbi dhe për këtë shkak ishte shumë e vështirë të gjeje dikë të përfshirë në këto evente dhe për ta nxisje të fliste në një film, që përfshinte si viktimat dhe agresrët,” shpjegoi ajo.

Të Paidentifikuarit do të shfaqet si pjesë e përzgjedhjes jo garuese në BELDOCS të këtij viti.

Filmi pati premierën ndërkombëtare në Festivalin e Filmit të Sarajevës vitin e shkuar dhe është shfaqur në disa festivale dhe institucione të tjera në Paris, Nju Jork, Uashington, Zagreb, Beograd, Prizren, Prishtinë, Tiranë, Maribor dhe Los Anxhelos.

Filmi “Të Paidentifikuarit” i BIRN-it, u Shfaq në Dokufest

BELDOCS është një nga festivalet më të rëndësishme të filmit në Serbi dhe do të shfaqë një varietet dokumentarësh nga 12 deri në 18 maj.

Përveç të Pa Indentifikuarit, një tjetër film që trajnton varret masive të zbuluara në periferi të Beogradit, në Batajnicë, është Thellësia II e Ognjen Glavoniç, që do të shfaqet më 13 maj.

Gjithashtu në program është Qukapiku Rus, një film rreth viktimave të tragjedisë bërthamore në Çernobilin e Ukrainës në 1986 dhe Sonita, rreth një vajze të një imigranti të paligjshëm në Teheran dhe mundimeve për t’u bërë artiste ndonëse familja e saj ia kishte vulosur fatin me një martesë me shkuesi.

Festivali do të përfundojë me shfaqjen e veprës së regjisorit amerikan Michael Moore, Ku të Pushtojmë Tjetër, që flet për leksione të politikës sociale që SHBA mund të mësojë nga vende të tjera më 18 maj.

Për më shumë informacion vizitoni beldocs.rs.