Rigjykimi i grupit të Kqirajve - Foto: KALLXO.com

Fillon rigjykimi për fajde e detyrim ndaj grupit të Tunë Kqirajt

Në Gjykatën e Prizrenit sot filloi rigjykimi i të akuzuarve Tunë Kqira, Kastriot Kqira, Gjon Kqira, Marjan Kqira, Gjekson Kqira, Benson Buza, Besfort Omaj dhe Gëzim Kqira.

Në seancë ishin të pranishëm të gjithë të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre, si dhe prokurorja e Prokurorisë Speciale Merita Bina – Rugova, dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokat Tomë Gashi.

Para se të fillojë rigjykimi, mbrojtësja e të akuzuarit Marjan Kqira, avokate Kosovare Kelmendi, i propozoi trupit gjykues që prokurorja e rastit në këtë seancë t’i propozojë emrat e dëshmitarëve të cilët ajo konsideron se i kanë ndërruar deklarate e tyre, dhe të vazhdohet vetëm me ata dëshmitarë, të mos ftohen edhe dëshmitarë të tjerë, që të mos zvarritet procedura.

Prokurorja e rastit Merita Bina – Rugova u pajtua me propozimin e avokates Kelmendi dhe u deklarua që do të japë propozim dhe arsyetim me emra për dëshmitarë të caktuar, dhe të mos ftohen të gjithë dëshmitarët për hir të përshpejtimit dhe mbarëvajtjes së rregullt të procedurës.

Por, ndërkohë prokurorja e rastit dhe avokatja Kelmendi kishin paqartësi dhe kundërshtime lidhur me propozimin e dëshmitarëve rreth asaj se a duhet të ftohen edhe zyrtarët policorë – hetuesit të cilët i kanë marrë deklaratat e dëshmitarëve.

Këtu u desh ndërhyrja e anëtarit të trupit gjykues Artan Sejrani për t’i ndalur replikat e palëve.

Gjyqtari e sqaroi situatën dhe i udhëzoi palët që fillimisht të fillojë rigjykimi dhe kur të vijë radha te procedura e provave, të deklarohen si prokurorja ashtu edhe mbrojtësit për propozimet e tyre dhe kundërshtimet për dëshmitarë.

Pas sqarimit të këtyre çështjeve, kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani mori vendim që shqyrtimi të mbahet, ndërsa me pëlqimin e të gjithë të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre, po edhe me pëlqimin e prokurores, aktakuza u konsiderua e lexuar, pasi që është ishte lexuar në shqyrtimin kryesor.

Të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që ua ngarkon aktakuza, pos të akuzuarve Kastriot Kqira, Gjon Kqira dhe Marjan Kqira, të cilët pranuan fajësinë për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Më tutje shqyrtimi vazhdoi me fjalën hyrëse, ku kryesisht të gjithë palët qëndruan pranë fjalëve hyrëse të dhëna në shqyrtim kryesor.

Sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit, e cila në vendimin e saj ka udhëzuar që në rigjykim të dëgjohen dëshmitarët të cilët Prokuroria Speciale me ankesën e saj konsideron se i kanë ndryshuar deklarimet e tyre, si dëshmitar u ftua Blerim Qono.

Gjatë kohës sa po i parashtronte pyetje dëshmitarit, prokurorja Merita Bina-Rugova shfaqi pakënaqësitë e saj ndaj kundërshtimit dhe refuzimeve ndaj pyetjeve që bëheshin nga mbrojtësit dhe nga trupi gjykues.

E njëjta theksoi se “unë e marr në pyetje dëshmitarin sipas mënyrës sime, nëse ka vërejtje ju lus që të më ndërpret trupi gjykues, e jo të më ndërpresin mbrojtësit apo të ndërhyjnë në përgjigjen e dëshmitarit nga vendi”.

Kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani iu tërhoqi vërejtjen mbrojtësve dhe të akuzuarve që të mos ndërhyjnë në pyetjet e prokurores pa lejen e kryetarit të trupit gjykues, apo edhe të mos e ndërpresin dëshmitarin gjatë dhënies së përgjigjes.

Dëshmitari Blerim Qono deklaroi se në kohën kur kishte dhënë deklaratë në Polici në shtator të vitit 2015, kishte qenë i stresuar dhe jo i vetëdijshëm shumë për ato që deklaronte, sepse ishte hera e parë që paraqitej në Polici për deklaratë, dhe ishte nga stresi nuk ka qenë i sigurt në deklaratat që i ka dhënë atëherë.

Sipas dëshmitarit deklaratat e dhëna në shqyrtim gjyqësor para trupit gjykues janë të vërteta dhe deklarata pas të cilave ai qëndron në tërësi.

Për dëshmitarin kishte pyetje edhe mbrojtësi i të akuzuarit Gjekson Kqira, avokat Arben Ramadani, i cili e pyeti dëshmitarin se a e ka takuar ndonjëherë të mbrojturin e tij, por dëshmitari Blerim Qono shtoi se asnjëherë nuk e ka takuar të akuzuarin Gjekson Kqira dhe se as nuk e ka njohur më parë, pos kur e ka parë në Gjykatë gjatë shqyrtimeve gjyqësore.

Prokurorja Merita Bina – Rugova kërkoi nga trupi gjykues që të sqarohet pse në sallë janë prezentë gardianët e burgut dhe të arsyetohet prania e tyre në sallë.

Kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani sqaroi për prokuroren por edhe konstatoi në procesverbal se ata gjenden në sallë pasi që e kanë sjellë nga burgu të akuzuarin Benson Buza, i cili është duke vuajtur dënimin për një tjetër vepër penale.

Më tutje prokurorja Merita Bina – Rugova propozoi që sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit të ftohen përsëri për t’u dëgjuar dëshmitarët që nuk janë dëgjuar dhe dëshmitarë të cilët kanë ndërruar dëshmitë e tyre.

Prokurorja propozoi që të ftohen 13 dëshmitarë, sepse, sipas saj, të njëjtit kanë ndryshuar deklarimet e tyre nga ato të dhëna në Polici e Prokurori dhe ndryshe kanë deklaruar në shqyrtimet gjyqësore, para trupit gjykues, e sipas prokurores kjo është edhe arsyeja se pse lënda është kthyer në rigjykim.

Gjithashtu prokurorja speciale propozoi që të ftohen si dëshmitarë edhe të akuzuarit për të cilët është veçuar procedura penale, ndërsa deklarata e të dëmtuarve Zef dhe Pal Gruda të lexohen dhe të njëjtit të mos ftohen përsëri për dëshmi.

Trupi gjykues me Xheladin Osmanin kryetar, Artan Sejrani dhe Refki Piraj anëtarë, aprovuan pjesërisht propozimin e prokurores, ashtu që deklaratat e të dëmtuarve do të lexohen.

Gjithashtu sipas propozimit të prokurores do të ftohen për të dëshmuar që të gjithë dëshmitarët e propozuar nga ana e prokurores speciale.

Trupi gjykues refuzoi propozimin e prokurores që të ftohen të dëgjohen si dëshmitarë të bashkakuzuarit për të cilët është veçuar procedura, kjo sepse për të njëjtit nuk ka aktgjykim të formës së prerë apo të plotfuqishëm pra ata nuk janë shpallur fajtorë, andaj në këtë fazë ashtu siç e përcakton dispozitat ligjore, dëshmia e bashkëkryerësve në të njëjtën çështje nuk mund të merret si dëshmi.

Andaj pasi që nuk kishte propozime tjera, shqyrtimi përfundoi me kaq dhe u caktua data 14 janar për vazhdimin e rigjykimit, ku shqyrtimi do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve sipas propozimit të prokurores speciale.

Ky rast është rast i shënjestruar për liberalizim vizash.

Në shkurt të vitit 2018 Gjykata Themelore Prizren kishte shpallur aktgjykim dënues.

https://kallxo.com/gjykata-denon-10-persona-per-fajde-e-detyrim-ne-grupin-e-kqirajve/

Rreth 4 muaj më vonë Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim.

https://kallxo.com/rasti-i-fajdeve-ndaj-kqirajve-apeli-anulon-vendimin/

Kallxo.com vazhdimisht ka raportuar për këtë rast.

Në seancën e sotme, me propozimin e prokurores speciale Merita Bina-Rugova, është veçuar procedura për 5 të akuzuarit: Zyrafete Hukolli, Ragip Fazlija, Ekrem Leci, Sejdë Kaçorri dhe Hil Kaçinari.

Xheladin Osmani, kryetar i trupit gjykues me aktvendim të posaçëm jashtë seance ka aprovuar kërkesën e prokurores speciale pasi që kërkesën e saj nuk e kanë kundërshtuar palët në procedurë.

Në vendimin për veçimin e procedurës, kryetari i trupit gjykues Xheladin Osmani e ka arsyetuar se përkundër se të akuzuarit për të cilët veçohet procedura, në seanca e mëparshme përkundër që i kishin marrë ftesat në mënyrë të rregullt dhe janë njoftuar me kohë për shqyrtimet gjyqësore, të njëjti kanë munguar pa arsye, por as më vonë nuk i kanë arsyetuar mungesat e tyre. Sipas gjyqtari Osmani, veçimi i procedurës do të sigurojë efikasitet në procedurë dhe zhvillim të rregullt të procedurës.