Fillon Realizimi i Tri Projekteve të BE-së në Mitrovicën Veriore
Ndërtimi i Stacionit të Autobusëve, “Mitrovica e Gjelbër” dhe renovimi i Shtëpisë së Shëndetetit janë tri projekte të financuara nga Bashkimi Evropian (BE), të cilat kanë filluar të realizohen sot në Mitrovicën Veriore.
Për këto projekte BE ka ndarë 1,2 milion euro.
Punimet solemnisht i hapi përfaqësuesi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Christof Stock dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq.
“Besoj se sot për komunën e Mitrovicës së Veriut dhe banorët e saj është një ditë e veçantë. Sot fillon ndërtimi i tri projekteve të cilat financiarisht mbështeten nga Bashkimi Evropian. Stacioni i autobusit, Shtëpia e Shëndetit dhe ‘Mitrovica e Gjelbër’, janë tri projekte që do të përmirësojnë kushtet e jetesës së qytetarëve të veriut të Mitrovicës. BE-ja ka ndarë 1.2 milion euro për këto projekte “, tha Stock.
Kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, tha se pret që këto projekte të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së jetesës në këtë qytet dhe se do të sjellin vende të reja punë, gjatë realizimit dhe pas përfundimit.
Ndërtimi i Stacionit të Autobusëve filloi në afërsi të stacionit të trenit në Mitrovicë, në vendin e të ashtuquajturit “Remonti ushtarak”, ku është tani Gjykata e Mitrovicës.
“Në këtë mënyrë ne do të zgjidhim problemin e bllokimit të trafikut, problem që prej kohësh është i pranishëm në qytetin tonë, sepse gjithçka që e ka vështirësuar trafikun e mallrave do të zhvendoset tani në këtë pjesë. Në plan është edhe ndërtimi i një ure, e cila do të lidhë komunën e Mitrovicës me komunën e Zveçanit dhe i gjithë trafiku i mallrave do të zhvendoset nga bërthama e qytetit “, ka thënë Goran Rakiq.
Projekti i rindërtimin të Shtëpisë së Shëndetit parasheh ndërtimin edhe të një kati në ndërtesën ekzistuese, ku do të hapen ordinanca specialistike.
Drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit, Dr. Miljana Nikoliq pret që me këtë projekt do të përmirësohet cilësia e kujdesit shëndetësor primar por edhe do t’i lehtësohet puna Qendrës Klinike Spitalore.
Pjesa e tretë dhe më e madhe e projektit, e quajtur “Mitrovica e Gjelbër”, i referohet rregullimit të hapësirës rreth kishës së Shën Dimitrit në kodrën e quajtur Kukavica. Kryeprifti Milija Arsoviq shpresoi se puna do të përfundojë sa më shpejt që të jetë e mundur.
Për ndërtimin e Stacionit të Autobusëve dhe renovimin e Shtëpisë së Shëndetit është kontraktuar kompania PTP “RAD” nga Zveçani, ndërsa projektin “Mitrovica e Gjelbër” do ta realizojë kompania DOO “EURO PRO” & NNT “ABC”.
Afati i fundit për përfundimin e punëve është 180 ditë.