Foto: Kallxo.com

Fillon protesta në Gjakovë kundër ndryshimit i statusit të zonës rreth kullës së Sylejman Vokshit

Gjysmë ore para mbledhjes së Kuvendit Komunal në Gjakovë, shoqëria civile po proteston për Kullën e Sylejman Vokshit. Kjo protestë me moton “mos ma prek kullën”, ka për qëllim kundërshtimin e ndryshimit të zonës përreth kësaj kulle. Në këtë protestë po marrin pjesë kryesisht shoqëria civile por edhe anëtarë të opozitës në këtë Komunë.

Në vitin 2015, zona përreth kullës ishtë shpallur zonë e veçantë e mbrojtur, me qëllim që vlera kulturore dhe identiteti i kullës së Sylejman Vokshit të ruhet, e në anën tjetër të pegohet ndërtimi i objekteve që do ta dëmtonin këtë objekt të trashëgimisë kulturore.

Agon Batusha, aktivisht i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se nuk do të lejohet që të cënohet historia dhe e kaluara e popullit tonë.  

“Kulla e Sylejman Vokshit do ta mbledh për ta kriju një precedent, jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera kur cënohet trashëgimia kulturore, kur cënohet e kaluara dhe historia, bëhemi bashkë dhe t’i kundërshtojmë ata që kanë interesa të ngushta të bëjnë diçka që neve nuk na pëlqen”, ka thënë Batusha.

Ndërsa Shqipe Mula, eksperte e trashëgimisë iu ka bërë thirrje asamblistëve që të mos e votojnë vendimin për shfuqizimin e pronave rreth Kullës.

“Duke iu bërë apel fillimisht asambleistëve që mos ta votojnë këtë vendim, e gjithmonë duke iu bërë apel Ministrisë së Kulturës, tek divizioni i trashëgimisë kulturore dhe tek institucionet përkatëse, që të kenë më shumë përgjegjësi nëpër vendimet që bëhen nëpër komuna, apo tek individë të ndryshëm. Duke bërë ndryshim në qytetet tona atëherë mund të bëjmë diçka në Kosovë”, ka thënë Mula. 

Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com