Fillon Njohja e Kontributit për Mësimdhënësit e Viteve të 90-ta

Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punës së bashku me Sindikatën për Arsim (SBASHK), kanë prezantuar sot formën e vërtetimit të përvojës së punës për mësimdhënësit ku përfshihet përvoja e punës së viteve të 90-ta.

Të gjithë mësimdhënësit tani mund të plotësojnë një vërtetim në drejtoritë komunale përkatëse për të vërtetuar përvojën e punës e cila pastaj do të futet në skemën pensionale.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, vlerësoi  se implementimi i vendimit për njohjen e kontributit në arsim të viteve 90-ta është një shpërblim për punën dhe sakrificën e atyre mësimdhënësve.

“Është një hap shumë i domosdoshëm, një  hap shumë i mirëpritur që mësimdhënësve që kanë punuar dhe rezistuar në kohën më të vështirë, në kohën e mbijetesës së sistemit arsimor t’u njihet përvoja e punës dhe ata të marrin një pension të dinjitetshëm dhe të merituar”, konstatoi Bajrami

Ndërkaq , ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Abran Abrashi, arsyetoi vonesën e implementimit të vendimit me problemet që kishin për zgjedhjen e formës së vërtetimit të përvojës së punës.

“Kjo shtyrje e vogël që ka ndodhur ka qenë për shkak të problemeve teknike derisa jemi pajtuar se si do të jetë forma më e mirë e njohjes së përvojës së punës për të gjithë ata që kanë punuar gjatë viteve të 90-ta”, theksoi Abrashi.

Pensioni për kontribut dhënës me vlerë prej 158 euro jepet për mësimdhënësit me 15 vjet përvojë pune ndërsa ministri Abrashi tha se do të bëhet edhe përshkallëzimi i pensioneve në bazë të kualifikimit akademik dhe mund të arrijë deri në 230 deri në 240 euro.

Kryetari i sindikatës SBASHK, Rrahman Jasharaj tha se kjo njohje do të sigurojë barazi në mes të kolegëve që kanë punuar në arsim në cilëndo periudhë.

“Nga sot  të gjithë mësimdhënësit që pensionohen do të jenë të barabartë me kolegët e tyre dhe do ta gëzojnë pensionin e plotë të punës dhe do të kenë edhe mundësi të aplikojnë për përshkallëzimin e pensionit”,  vlerësoi Jasharaj.

Formulari që arsimtarët duhet ta plotësojnë për t'i marrë paratë e kontributit gjatë viteve 1990 (Modeli i komunës së Prishtinës)
Formulari që arsimtarët duhet ta plotësojnë për t’i marrë paratë e kontributit gjatë viteve 1990 (Modeli i komunës së Prishtinës)