Pamje nga seanca e gjykimit të Milot Vokshit dhe Xhavit Dakajt – Foto: KALLXO.com

Fillon me një orë vonesë gjykimi ndaj Milot Vokshit dhe Xhavit Dakajt

Në gjykimin ndaj sekretarit të përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Milot Vokshit si dhe ish-sekretarit të përgjithshëm i MAShT-it, Xhavit Dakaj, i cili është rast i shënjestruar për liberalizimin e vizave, është bërë administrimi i provave. 

Me 55 minuta vonesë filloi gjykimi ndaj sekretarit të përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës si dhe ish-sekretarit të përgjithshëm i MAShT-it, kjo për arsye se Prokurori Faik Halili nuk është paraqitur me kohë në gjykatë.

Këtë vonesë prej 55 minutash prokurori special e arsyetoi duke thënë se ka ndodhur një keqkuptim dhe se ai nuk kishte qenë i informuar për mbajtje të seancës.

Ndonëse me një orë vonesë, me fillim të seancës gjyqësore prokurori Halili para trupit gjykues dhe palëve në procedurë paraqiti provat të cilat i propozoi gjykatës që të i administronte në raport me të akuzuarit.

Ndër provat të cilat prokurori i propozoi për administrim ishin edhe ekspertizat financiare të kryera nga ekspertet financiar Dibran Jashari, Agim Sheqiri e Xhevdet Krasaniqi.

Kurse ishte mbrojtësi i të akuzuarit Xhavit Dakaj, avokati Hamdi Podvorica ai i cili i kundërshtoi provat e paraqitura nga prokurori special, sidomos në raport me ekspertizën financiare të kryer nga eksperti  Agim Shaqiri për të cilin tha se nuk ka qenë i evidentuar fare si ekspert në listën e eksperteve prandaj sipas avokatit ai nuk është kompetent për çështje financiare, këtë kundërshtim e përkrahu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Milot Vokshi, avokati Tefik Vokshi.

Po ashtu palët mbrojtëse paraqiten prova të tjera të cilat i propozuan gjykatës që të i administroj si prova në raport me të mbrojturit e tyre.

Në lidhje me provat e palëve të propozuara për administrim, trupi gjykues në krye me gjyqtarin Vehbi Kashtanjeva morri aktvendim që të pranohen si prova të gjitha provat të cilat u propozuan si nga prokurori special ashtu edhe nga mbrojtësit në anën tjetër.

Seanca e radhës është caktuar me datën 7 shtator me ç’rast pritet që të akuzuarit ta japin mbrojtjen si dhe palët ta japin fjalën përfundimtare.

Në lidhje me datën e mbajtjes së seancës së radhës gjyqësore, prokurori special e njoftoi trupin gjykues se nuk do të mund të jetë i pranishëm pasi që pas disa ditëve do të dal në pension por deklaroi se lëndën do të ia përcjell një prokurori tjetër.

Sipas aktakuzës të Prokurorisë Speciale, Dakaj dhe Vokshi akuzohen se duke i tejkaluar kompetencat e tyre, në dhjetor të vitit 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, për vete apo persona tjerë në mënyrë të kundërligjshme kishin lidhur marrëveshje të mirëkuptimit mes institucioneve ku punonin, përkatësisht mes MAShT-it dhe Gjykatës Kushtetuese me qëllim të shfrytëzimit të kontratës publike kornizë, nga ana e MAShT-it për shfrytëzimin e një operatori ekonomik për të furnizuar MAShT- in me mall.

https://kallxo.com/fjalosje-mes-te-akuzuarit-dhe-ekspertit-pas-seances/

Aktakuza sqaron se kontrata në mes këtij operatori ekonomik dhe Gjykatës Kushtetuese ishte lidhur për shtypjen e librave dhe materialeve tjera për shtypje, duke i mundësuar këtij subjekti përfitime në vlerë prej 31,612.60 euro, për të cilën shumë prokuroria pretendon se buxheti i shtetit të Kosovës është dëmtuar.

Rasti i Xhavit Dakajt dhe Milot Vokshit me vendim të Apelit ishte kthyer në rigjykim.

I akuzuari Dakaj në shkallën e parë ishte shpallur fajtor për keqpërdorimi të pozitës zyrtare dhe cenimi i barazisë në ushtrimin e veprimtarisë ekonomike në bashkëkryerje me dënim unik në kohëzgjatje prej 10 muajve burgim.

Për të njëjtat vepra penale, i akuzuari Vokshi ishte dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 6 muajve burgim.

https://kallxo.com/denohet-nga-themelorja-vazhdon-punen-ne-kushtetuese/

Kjo lëndë është në mesin e rasteve të cilat janë të shënjestruara për liberalizim të vizave.

Pjesë e kësaj aktakuze ishin edhe Xhemajl Buzuku, Fehmi Zylfiu e Bukurije Borovci.