Foto: KALLXO.com

Fillon greva një ditore e punëtorëve teknik në shkolla të Prishtinës

Punëtorët teknik të shkollave në Prishtinë, kanë filluar sot grevën një ditore.

KALLXO.com ka vizituar shkollën fillore “Ismajl Qemajli”.

Ruzhdi Miftari punëtor teknik në këtë shkollë, tha se kërkesa e tyre është që të gjithë punëtorët teknik të jenë të punësuar nga komuna.

“Jemi në grevë një ditore për shkak se komuna na ka borxh neve. Na kanë mbetë borxh prej vitit të kaluar s’na kanë dhënë hiç disa para dhe po dëshirojmë të bëhemi të gjithë me kontratat të komunës. Tek ne disa janë të punësuar nga komuna disa me kompani private. Këta të komunës pagat i kanë shumë më mirë se na”, tha Miftari.

Ai shtoi se kanë bërë disa herë kërkesa por se ato sipas tij nuk janë marrë parasysh.

Në grevë janë edhe punëtorët teknik të shkollave “Dardania”, “Eqrem Qabej”, “Gjergj Fishta”, “Hoxhë Kadri Prishtina”, “Pjetër Bogdani”, “Asim Vokshi”, “Ismail Qemaili”, “Naim Frashëri”, si dhe ata të QMF-ve në Prishtinë.