Foto: MIDS

Fillojnë vizitat e nxënësve shqiptarë nga diaspora në Kosovë

Prej sot fillojnë eskursionet mësimore njohëse të nxënësve dhe mësuesve nga diaspora në Kosovë të organizuara nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike.

Si pjesë e ekskursionit, sot Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike e ka vizituar grupi i parë i nxënësve dhe mësuesve nga shkolla shqipe në Suedi.

Ata i priti zëvendësministri i Diasporës, Isni Kilaj, i cili theksoi se qëllimi i Ministrisë së Diasporës është  ruajtja e lidhjeve mes diasporës dhe vendlindjes. Kilaj deklaroi se kjo arrihet edhe përmes aktiviteteve të ndryshme kulturore e arsimore, përmes të cilave mësohet për historinë, kulturën dhe trashëgiminë e atdheut.

Ekskursionistët nga Suedia sot e vizituan Kuvendin e Kosovës dhe kazermat e FSK-së.

Gjatë qëndrimit të tyre, ata do të vizitojnë shkolla, qytete e monumente të ndryshme kulturore dhe historike në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

“Ky aktivitet, me  karakter njohës mësimor, është i rëndësishëm për nxënësit nga diaspora, sepse u mundëson njohjen e atdheut, thellimin e njohurive për identitetin, gjuhën, kulturën dhe  historinë e vendit të tyre. Ekskursioni zgjat pesë ditë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ekskursionet do të vazhdojnë me grupe të tjera të fëmijëve nga  Austria, Gjermania, Greqia, Kroacia dhe Sllovenia. Nga secili shtet pjesëmarrës do të jenë nga 50 persona.