Vënia e gurëthemelit për stadiumin e Pozheranit, Foto: Facebook/Komuna e Vitisë

Fillojnë punimet për ndërtimin e stadiumit të Pozheranit

Është hedhur gurëthemeli për ndërtimin e stadiumit të futbollit “Ibrahim Kurteshi” në Pozheran.

Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti me bashkëpunëtorë dhe Feriz Pira, ndër themeluesit e parë të klubit të futbollit “Vllaznia”- Pozheran dhe të tjerë.

Përndryshe në këtë stadium deri me tani stërvitjet dhe ndeshjet i ka zhvilluar KF. “Vllaznia” e Pozheranit e cila ka arritur suksese në futboll duke garuar edhe në superlingën e Kosovës.

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka folur rreth punës së institucioneve komunale për angazhimin e tyre në ndërtimin e këtij stadiumi.

“Ne si komunë kemi arritur më në fund të përfundojmë procedurat dhe atë së bashku me Ministrinë e Kulturës, që të fillojmë me stadiumin dhe atë si bashkëparticipim në këtë projekt”, u shpreh kryetari Haliti.

Ai bëri me dije se me projektin e paraparë do të rregullohet fusha sportive, tribunat dhe zhveshtorët duke shpresuar se ndërtimi i stadiumit do të përfundoj në planin e paraparë dhe me cilësinë e duhur.

Kryetari Haliti ndër tjerash shtoi se ai mbetet i përkushtuar për të krijuar hapësira të mira për zhvillimin e disiplinave sportive.

Kurse Shpend Musa, kryetari i KF “Vllaznia”- Pozheran ka falënderuar kryetarin Haliti dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe të tjerë për këtë projekt duke potencuar se ky projekt është pritur me padurim nga KF “Vllaznia” dhe tifozët e këtij klubi.

Para pak ditësh KALLXO.com ka shkruar se edhe pse kanë kaluar 5 muaj që nga nënshkrimi i kontratës me kompaninë që do të realizoj projektin e stadiumit, punimet ende nuk kishin filluar.

http://kallxo.com/5-muaj-pas-nenshkrimit-te-kontrates-ende-nuk-kane-filluar-punimet-ne-stadiumin-e-pozheranit/