Drejtori i Doganës së Kosovës dhe drejtoresha e Doganës së Shqipërisë - Foto: Facebook/Dogana e Kosoves

Fillojnë përgatitjet për hapjen e zyrës së Doganës së Kosovës në Durrës

Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, është takuar me homologen shqiptare, Belinda Ikonomi, me të cilën ka diskutuar procedurat për hapjen e zyrës së Doganës së Kosovës në portin e Durrësit.

Takimet janë zhvilluar të premten dhe të shtunën në kuadër të bashkëpunimit të dy Qeverive, si dhe në kuadër të zbatimit të vendimeve të dy qeverive.

Gjatë takimeve ishin të pranishme edhe dy grupet punuese të administratave doganore, të cilat kanë diskutuar mbi procedurat teknike për hapjen e zyrës së Doganës së Kosovës në portin e Durrësit.

Krahas takimeve u bë edhe vizita në portin e Durrësit ku me këtë rast edhe u përcaktuan zyrat dhe ambientet e punës për Doganën e Kosovës nga ku do të zhvillohen procedurat doganore të tranzitit, njofton Dogana e Kosovës.

“Hapja e kësaj zyre do të lehtësojë tregtimin, lëvizjen e mallrave po ashtu edhe atë të udhëtarëve. Kjo pritet të reduktojë koston e bizneseve si dhe të ndihmojë në rritjen e ekonomive të dy vendeve përmes thellimit të bashkëpunimit”, thuhet në njoftim.

Procedurat doganore në portin e Durrësit nga Dogana e Kosovës do të fillojnë që nga muaji janar 2019.