Fillojnë Marrëveshjet e Bashkëfinancimit për Tregun e Gjelbër në Lipjan

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti së bashku me Ministrin e Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, sot kanë nënshkruar Marrëveshjen e Mirëkuptimit për bashkëfinancimin e projektit “Tregu i gjelbër”.

Kjo marrëveshje, është bërë pas përcaktimit të lokacionit të ri të Tregut të Gjelbër, në mbledhjen e fundit të asamblesë komunale.

Bukurije Zejnullahu, zyrtare për informim në Komunën e Lipjanit, tha për KALLXO.com, se kuvendi e ka caktuar një lokacion tri herë më të madh sesa vendi paraprak i tregut.

“Kuvendi ka miratu një lokacion ku është tri ose katër herë me i madh sesa vendi aktual. Kryetari i Komunës ka nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi për bashkëfinancim me ministrin e Zhvillimit Rajonal ku MZHR, do ta financoj një pjesë gjegjësisht infrastrukturën rrugore, asfaltim  kanalizim, ujësjellës, çka nevojitet për një treg”, tha Zejnullahu.

Kurse sipas saj, ndërtimi i kioskave, pjesa mbitokësore do të filloj faza e dytë mendohet deri ka fundi i vitit të dislokohet tregu në atë hapësirë prapa shkollës së mesme “Adem Gllavica”, në periferi të Lipjanit.

“Vlera e investimit për fazën e parë është rreth 300 mijë euro për fazën e dytë ende nuk është paraparë”, tha Zejnullahu.

Gjithashtu përmes një deklarate për medie, Komuna ka lëshuar njoftimin se kryetari Ahmeti dhe Ministri Demiri realizimin e këtij projekti të përbashkët e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishëm për qytetarët lipjanas.
Ahmeti ka falënderuar Ministrin e MZHR-së, Rasim Demiri për mbështetjen e ofruar dhe bashkëpunimin në realizimin e projektit për ndërtimin e tregut të gjelbër, projekt ky që do të implementohet gjatë këtij viti.

Në mbledhjen e fundit të kuvendit, kuvendi e ka miratu vendimin për shpërnguljen e tregut të gjelbër.

Nga qendra sepse nuk i ka plotësuar kushtet për arsye se ka qenë vend i vogël për ta zhvillu tregtinë.