Gjatë homazheve për nder të Ditës së Çlirimit të Suharekës. Foto: Kallxo.com

Festimi në Shi dhe me Tender të Anuluar për Çlirimin

Shiu që binte nuk ndalonte qytetaret që të bënin homazhe para varreve të dëshmorëve në Suharekë në përvjetorin e 17-të të çlirimit të qytetit.

Kjo ditë kishte bërë bashkë pozitë e opozitë e organizata të dala nga lufta për t’u bërë homazhe dëshmorëve të komunës së Suharekës.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, tha se në këtë ditë të gjithë duhet ta pyesin njëri- tjetrin se a është përmbushur amaneti i dëshmorëve.

Për vete, ai e dha një përgjigje.

“Edhe pse Kosova dhe Theranda kanë ecur shumë përpara, mendoj që jemi larg asaj që kanë pasur në ëndrrën e tyre ata”, tha Asllanaj.

Përfaqësuesi i familjes së dëshmorëve, Zenel Zekolli, tha se edhe pse 17 viteve, kujtimet për familjet e dëshmorëve janë ende të freskat.

“U bënë plot 17 vite, njëherit 18 vite nga rënia, e më shumë se 100 dëshmorëve të komunës së Therandës. 17 vite janë të mëdha, por ato janë si 17 ditë, sepse ende i kemi kujtimet shumë të freskta”, tha Zekolli.

Në këtë akademi solemne, për nder të ditës së çlirimit u ndanë edhe çmime nga komuna e Suharekës

Komuna e Suharekës edhe sivjet si viteve tjera kishte hapur tender për aktivitete kulturore festive në Komunë “13 Qershori Dita e Çlirimit”, por ky tender është anuluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit pasi një kompani pjesëmarrëse në të u ankua.

KALLXO.com kishte shkruar për pezullimin e këtij tenderi nga OSHP-ja, pasi që njëra prej firmave pjesëmarrëse ishte ankuar në OSHP, për shkak të “eliminimit të padrejtë”.

http://kallxo.com/oshp-ja-pezullon-tenderin-per-festen-e-suharekes/

Komuna e Suharekës për 13 Qershorin-Ditën e Çlirimit ka planifikuar edhe aktivitete të ndryshme kulturore e sportive, si turne në mundje, në futboll të vogël, akademi solemne, defile të veteranëve të UÇK-së, si dhe koncert dhe koktej për ta.