Gjykata e Ferizajt - Foto: GjThF

Ferizaj, sulmohet prokurori brenda Gjykatës

Gjatë ditës së sotme pas përfundimit të një seancë gjyqësore një person ka kërcënuar dhe sulmuar Prokurorin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Valdet Avdiun.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Kryetari i Gjykatës Themelore të Ferizajt, Bashkim Hyseni.

Hyseni për KALLXO.com tha se rasti ka ndodhur në hapësirat e Gjykatës dhe se tashmë Prokuroria ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit ndaj personit me inicialet M.D. i cili pretendohet se e ka kërcënuar dhe sulmuar prokurorin Valdet Avdiu.

Lidhur me masën e paraburgimit ndaj këtij personi, kryetari i Gjykatës së Ferizajt tha se Gjykata do të vendosë gjatë ditës së sotme.

M.D. pas përfundimit të një seance gjyqësore pretendohet se e ka kërcënuar dhe sulmuar prokurorin Valdet Avdiu.

Valdet Avdiu, prokuror i Prokurorisë në Ferizaj

Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit të cilët kanë shprehur shqetësimin e tyre për rastin në fjalë.

“Për KPK-në dhe ZKPSH-në, aktet e tilla ndaj prokurorëve, janë të pa tolerueshme dhe se të njëjtat merren shumë seriozisht. KPK dhe ZKPSH qëndrojnë fuqishëm pranë prokurorëve, i mbështesin ata në punën e tyre të përditshme dhe i inkurajojnë në përmbushjen e misionit të tyre”, thuhet në komunikatën e dërguar nga KPK dhe ZKPSH.

KPK dhe ZKPSH kanë deklaruar se kjo çështje është duke u trajtuar seriozisht dhe me urgjencë duke shtuar se aktet e tilla nuk do të ndikojnë aspak në punën e prokuroreve pasi që ata nuk do të zmbrapsen në misionin e tyre për ndjekjen e kryesve të veprave penale.

“…të gjithë ata që mendojnë se me akte të tilla do të tentojnë të ndikojnë që prokurorët e shtetit të zmbrapsen nga ndjekja e kryeseve të veprave penale e kanë gabim, sepse prokurorët do të vazhdojnë punën e tyre për të cilën janë betuar dhe për të cilën i obligon Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në komunikatën e KPK-së dhe ZKPSH-së.