Qeli burgu - Foto: REL/Shutterstock

Ferizaj, paraburgim për burrin që rrahu dhe kërcënoi me sëpatë gruan e tij

Gjykata e Ferizajt ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit, i cili dyshohet për veprat penale – lëndim i lehtë trupor, kanosje dhe për armëmbajtje pa leje.

Kështu, Gjykata ka miratuar kërkesën e Prokurorisë së Ferizajt lidhur me të pandehurin K.E.

Sipas njoftimit të Gjykatës, i pandehuri dyshohet se më 3 qershor 2019, në Ferizaj, përkatësisht në shtëpinë e tij, pas një mosmarrëveshje paraprake dhe konflikti verbal lidhur me disa para që i kërkonte të dëmtuarës – bashkëshortes së tij, i pandehuri e sulmon të dëmtuarën duke e goditur me grushte në fytyrë nga të cilat goditje e dëmtuara pëson lëndime trupore.

Me këtë rast i pandehuri ka kanosur të dëmtuarën edhe me përdorimin e sëpatës, me çka ka shkaktuar frikë tek e dëmtuara.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit të dyshuar, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.