Ferid Agani në Gjykatë- Foto: KALLXO.com

Ferid Agani: Pse veç unë jam akuzuar e jo edhe ministrat para e pas meje?

Gjykimi në rastin “Stenta 1”, në të cilin për keqpërdorim të detyrës zyrtare po gjykohen ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretari i Ministrisë, Gani Shabani, ka prekur fundin e tij.

Në seancën e sotme është dhënë fjala përfundimtare.

Në fjalën përfundimtare prokurorja Florije Shamolli deklaroi se duke analizuar shkresat dhe provat e administruara, udhëzimet administrative, Ligjin për prokurim publik, deklaratat e dëshmitarëve, interpretimin e dhënë nga ana e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), është vërtetuar se dy të akuzuarit kanë kryer veprën penale për çka ngarkohen.

Tutje Shamolli  tha se nëse analizohet përgjigja e KRPP-së si dhe dëshmitë që kishin dhënë përfaqësuesit e KRPP-së gjatë shqyrtimit kryesor, shihet se çdo para publike mbi 1.000 euro, duhet t’i nënshtrohet Ligjit për Prokurim Publik dhe në rastin konkret një ligj i tillë nuk ishte respektuar.

“Marrëveshjet që janë nënshkruar nga Gani Shabani janë lidhur vetëm për një vit dhe nuk gjetëm prova se të njëjta janë vazhduar ndërsa pagesat e pacientëve që shkonin në spitale private dokumentohet se kanë qenë 641 pacientë që janë paguar me këto para të subvencioneve”, tha prokurorja Shamolli.

Më pas në fjalën përfundimtare Shamolli tha se mesazhet e siguruar nga Prokuroria gjatë fazës së hetimeve, vërtetojnë se i akuzuari  Ferid Agani ka pasur bashkëpunim me personat e akuzuar dhe i njëjti kishte pasur njohje me këto dy spitale private dhe qëllimi i tyre ka qenë përfitimi pasuror i këtyre spitaleve, “IMH” dhe “EDA”.

Duke analizuar të gjitha këto rrethana prokurorja Florije Shamolli kërkoi që dy të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Ndërsa si rrethanë lehtësuese propozoi të merret fakti se të akuzuarit kanë qenë korrekt në sjelljet e tyre dhe nuk kanë qenë të dënuar më parë, kurse si rrethanë rënduese të merret fakti se kemi të bëjmë me një shumë të madhe të parave dhe me jetën e njerëzve.

Gjithashtu prokurorja Shamolli në seancën e sotme bëri edhe precizimin e aktakuzës ashtu që të akuzuarit ngarkohen me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare në periudhën kohore nga 22 prilli 2012 deri më 31 dhjetor 2015 për dallim nga ngritja e aktakuzës e cila përfshinte periudhën nga 1 janar 2011 deri më 31 dhjetor 2015.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ferid Agani, avokati  Adem Vokshi, tha se krejt aktakuza është e bazuar në një interpretim të KRPP-së, mirëpo sipas tij paragrafi i fundit i këtij interpretimi te KRPP-së thekson se Ligji i Prokurimit Publik nuk aplikohet atëherë kur parashihet ndonjë ligj tjetër, çka sipas Vokshit është edhe çështja në rastin konkret ku akuzohen Agani dhe Shabani.

“Shpenzimet që nuk kërkojnë prokurim janë subvencionet dhe transferet. E gjitha shuma që i vihet në barrë Ferid Aganit ka të bëjë me subvencione e jo me diçka tjetër”, deklaroi avokati Vokshi.

Sipas tij Ish-ministri Agani nuk kishte nënshkruar marrëveshje vetëm me dy spitalet private “IMH” dhe “EDA”, por edhe me shtatë spitale të tjera, dhe nëse akuzohet për marrëveshjet me “IMH” dhe “EDA”, sipas avokatit se pse nuk akuzohet Agani edhe për marrëveshjet e njëjta me shtatë spitalet e tjera.

Kurse i akuzuari Ferid Agani  në fjalën  e tij përfundimtare tha se pse për veprimet e njëjta sikurse të tij nuk janë iniciuar procedura kundër personave qe ishin para tij  dhe mbas tij, në pozitën e ministrit të Shëndetësisë.

“Unë e ndjej veten si subjekt të një drejtësie selektive. Pse veç unë jam akuzuar për këto marrëveshje e jo edhe ministrat tjerë, para meje dhe pas meje, për te njëjtën mënyre te veprimit”, tha Agani.

Tutje i akuzuari Ferid Agani shtoi se në vitin 2011 sipas të dhënave të Bankës Botërore 80 milionë euro janë paguar nga qytetarët për shërim jashtë vendit dhe ka qenë synim i tyre që këto para të ndalen në vend. Sipas tij  deri atëherë kishin shkuar qytetarët në Turqi e Maqedoni duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Sipas fjalëve të Aganit këto mjete që i ka ndarë Kuvendi për subvencione për ndihmë të qytetarëve, këto mjete ishin shfrytëzuar në mënyre sa me të përgjegjshme.

“Akuzat kanë qenë të papritura për mua dhe nuk kanë pasë bazë ligjore. Punën e kam bëre në mënyrë transparente dhe profesionale dhe siç kam pasur besim kur më është ngritur aktakuza, vazhdoj te kem besim ende në drejtësinë kosovare”, tha Agani.

Kurse lirimin nga akuzat për të mbrojturin e tij, Gani Shabani, e kërkoi edhe avokati Nikë Shala.

Sipas avokatit Shala aktakuza e ngritur nga prokurori Kelmendi është bazuar në supozime e jo në prova materiale.

“Të dy marrëveshjet e lidhura kanë qenë të ligjshme sepse edhe më parë kanë qenë të tilla të nënshkruara dhe nuk janë iniciuar procedura. Subvencionet janë ndihma, nuk i nënshtrohen prokurimit. Gani Shabani fare nuk i njeh Ali Hocaoglun e as Borche Petrovskin për të cilët akuzohet se ka kryer veprën penale në bashkëkryerje. Nga të gjitha email-at dhe shkresat zyrtare shihet se Gani Shabani iu ka drejtuar të gjithë personave relevantë që të gjitha lëndët të procedohen sipas ligjit”, tha avokati  Shala.

Tutje Shala tha se ka besim të plotë në këtë trup gjykues që pas analizimit të provave dhe dëgjimit të dëshmitarëve se do të bien një aktgjykim lirues.

Kurse i akuzuari Gani Shabani tha se gjatë 20 vjetëve të fundit që ka qenë në pozita menaxheriale, asnjëherë nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim të paligjshëm dhe kjo sipas tij  është dëshmuar edhe në këtë lëndë ku shtoi se pret që të lirohet nga akuza.

Më pas kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 24 prill.

Ish-ministri Agani dhe ish-sekretari Shabani, të cilët nga PSRK-ja  po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt 2018.

Në rastin ‘Stenta’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve.

Procedura ndaj Aganit dhe Shabanit është veçuar me qëllim që gjykata të optimizojë procedurën.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe udhëzimet administrative të Ministrisë së Shëndetësisë duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, Ferid Agani dhe Gani Shabani i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumën prej 504,595.00 euro, apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.

https://kallxo.com/ish-sekretari-i-msh-se-nuk-kisha-presion-kur-nenshkrova-marreveshjet-me-spitalet-private/

www.kallxo.com