Fëmijët Kërkojnë të Trajtohen Mirë në QKUK

10 fëmijë ishin të pranishëm në QKUK gjatë diskutimit të personelit mjekësor për etikën e trajtimit të të vegjëlve.

Në këtë diskutim, Besim Kodra nga Zyra për Ankesa të Pacientëve tha se ka pasur mjaft raste të raportimit të pakënaqësive së pacientëve ndaj profesionistëve shëndetësorë.

“Jo të gjithë profesionistë janë ata që kanë një etikë të lartë mjekësore kemi edhe të tillë që ndonjëherë me sy mbyllë apo hapur e shkelin atë,” tha Kodra.

Kodra tha se nuk është vetëm etika mjekësore problem, por sipas tij në sistemin shëndetësor ka edhe parregullsi tjera.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës Curr Gjocaj mbrojti etikën profesionale të mjekëve, ndërsa ankesat e pacientëve i konsideroi eventuale.

“Etika profesionale gjatë punës me fëmijë është një nga indikatorët shumë të rëndësishëm që do i kontribuoj cilësisë dhe performancës së mirë të institucionit, ndërsa mund të ketë raste kur eventualisht mund të ketë ankesa në këtë drejtim,”tha Gjocaj.

Ndryshe nga Gjocaj, Besim Kodra kërkoi që shkelësit e etikës mjekësore të dënohen, në mënyrë që sistemi shëndetësor të ofrojë shërbime më të mira.

Ankesa të ndryshme që flasin për lëshime etike janë raportuar edhe në KALLXO.com.

Në mars të vitit 2015 KALLXO.com raportoi për ankesat e një prindi lidhur me trajtimin e vajzës së tij 12 vjeçare në Klinikën e pediatrisë.

Përballja e Prindit me Sëmundjen e Rëndë të Vajzës dhe QKUK-në

Pas këtij rasti ka pasur edhe raportime të tjera, ndërsa në dhjetor të vitit 2015 Jeta në Kosovë ka sjellë një debat në studio me doktorë ku është trajtuar edhe sjellja e tyre me fëmijët.

http://kallxo.com/shendeti-i-lig-i-qkuk-se/