FemArt FOTO: Atdhe Mulla

‘FemArt’ nis me rrëfimin për tmerret në Hotelin Grand 20 vjet më parë

Me hapjen ekspozitës “Bëhu fytyra ime” nga artistja e inkuadruar së fundmi në politikë Eliza Hoxha, dhe performancën “Pas asaj…” të Agnes Nokshiqi dhe Mjellma Goranci, ka nisur në ish-boulingun e Hotel Grandit në Prishtinë festivali “FemArt”, si kujtim për të risjellë në vëmendje krimet që forcat serbe kishin kryer ndaj grave shqiptare në këtë hotel gjatë luftës së Kosovës.

Ish-lokali i boulingut në bodrumin e Hotel Grandit për 20 vjet ka qëndruar i mbyllur për publikun, pasi dyshohet se në atë hapësirë gjatë luftës së Kosovës janë kryer dhunime dhe krime nga forcat ushtarake e policore të shtetit serb.

Pikërisht, për t’ i dhënë fund asaj heshtje 20 vjeçare për krimet e kryera, nga ajo hapësirë ka nisur edicioni i  7-të  i Festivalit “FemArt”.

Ekspozita është konceptuar në dy hapësira, njëra që përdor rrugëtimin e Vasfije Krasniqi – Goodman, viktimë e cila publikisht ka rrëfyer ngjarjen e saj, e në hapësirën tjetrën janë sjellë copëza rrëfimesh të vendosur në  korniza qelqi të grave tjera të dhunuara.

Ndërsa, në fasadën e Hotel Grandit janë vendosur shirita të kuq, në kujtim të britmave të dikurshme aty dhe sot për britmën e vet ndërtesës e cila po dhunohet si strukturë fizike e shënjuese e qytetit.

FemArt FOTO: Atdhe Mulla

Historia e pa treguar e Grandit

Për organizatorët e këtij festivali ka vite që është menduar hapja e një ekspozitë për të ritreguar krimet që kanë kryer serbët në Grand gjatë luftës.

Zana Hoxha Krasniqi, drejtoreshë e “FemArt”, ka thënë për KALLXO.com se ka vite që është planifikuar një ekspozitë e tillë dhe në ish- hapësirën e boulingut në bodrumin e Hotel Grandit.

“Unë e dija historinë e patreguar të Grandit, ku janë dhunuar gra e vrarë njerëz gjatë luftës. Ideja është që të rikthejmë, aktualizojmë këtë krim të pandëshkuar dhe të padëgjuar. Sepse këtu në këto hapësira janë bërë krime, dhe solidarizuar me ato gra që kanë qenë viktima të dhunës seksuale dhe nuk kanë guxuar të shprehen apo flasin”, ka pohuar ajo.

“FemArt” është një festival artistik dhe aktivist që ngrit çështje të cilat janë të rëndësishme për t’u thënë dhe thyer tabutë, ndërsa pritet të kërkohet që kjo hapësirë të shndërrohet në muze.

FOTO: Atdhe Mulla

Ndërkaq autorja e ekspozitës “Bëhu fytyra ime”, Eliza Hoxha, ka thënë për KALLXO.com se ideja e mbajtjes së kësaj ekspozitë në këtë hapësirë (ish boulingu), është të ritregohen ato krime që janë kryer aty gjatë luftës.

Simbolikisht, sipas saj, është zgjedhur ky vend ku janë kryer krimet,  estetikisht jo i bukur dhe errët, për të rrëfyer krimin,  sikurse viktimat nuk e kanë jetën e bukur.

“Në njërën anë është rrëfimi i Vasfijes, publike, dhe është e vetmja. Deri sa në anën tjetër janë shumë rrëfime tjera që rrinë pezull dhe të tejdukshme mu ashtu sikurse janë ato gra të tejdukshme”, ka thënë Hoxha.

Shndërrimi i ish-boulingut në muze

Dramaturgu dhe regjisori Fadil Hysaj, ka thënë se organizmi i kësaj ekspozite në këtë hapësirë është një veprim i guximshëm,  artistikisht shumë i avancuar me shumë sens e stil të lartë.

“Në momentin që kam hy këtu, ajo çfarë më shkoi  në mendja është që këtë vend duhet kthyer në muze të gjenocidit, muze të dhunimeve gjatë luftës. Mendoj se kjo është hapësira që flet më shumë se asgjë tjetër, se këtu dhunuesit kanë qenë oficerët ushtarakë, këtu ka qenë shteti serb i involvuar. Andaj nëse ka ndonjë vend për t’u shndërruar në hapësirë për muze të dëshmi të krimit dhe dhunimit është ky vendi, dhe e meritë  e kësaj ekspozite është pikërisht kjo”, ka pohuar Hysaj.

Sipas Hysajt, historia që ka ndodhur në këtë hapësirë 20 vjet më parë duhet rithënë, dhe të mos harrohet kurrë, ndërsa sipas tij, ata që kanë bërë që një krim i tillë të heshtet dhe që të mos dëshmohet, janë përgjegjës sikurse ata që i kanë kryer ato krime.