Diskutimet për diversitetin kulturor | Foto: KALLXO.com

“Femart” Bën bashkë Gratë për Kulturën

E ftuar në këtë diskutim ishte Brigitte Kaquet nga Belgjika.

Brigitte Kaquet e cila është themeluese e projektit „Magdalena“ tha se jo çdo herë ka qenë e lehtë të bisedohet për diversitetin kulturor nga perspektiva e gruas dhe për kontributin e grave në kulturë.

“Ne ishim në vitet e 90-ta dhe ideologjia e asaj kohe nuk ka qenë e hapur ndaj diversitetit kulturor dhe çështja e diversitetit kulturor edhe pse kjo ka ardhur duke u bërë çdo herë e më shumë më e zëshme,” tha ajo për KALLXO.com.

Ajo tregoi se gratë në atë kohë kur kanë zhvilluar aktivitete kulturore, e kanë pasur vështirë të dëshmojnë se nuk po merren me politikë.

“Ka qenë e vështirë që të sqarohet që ne nuk kemi bërë politikë apo veprime politike mirëpo kemi ndihmuar njerëzit dhe kemi kërkuar respektimin e të drejtave të tyre përmes artit,” tha Kaquet.

Ajo tregoi se kanë pasur edhe vështirësi pasi që njerëzit kanë pritur ndihma financiare dhe ndihma të tjera nga ata dhe shpesh “kultura nuk ka qenë e mjaftueshme”.

Koordinatorja e “Femart”-it Jetbardha Selmani tha se gjithë festivali ka për qëllim promovimin e diversitetit kulturor dhe jo vetëm sesioni i sotëm.

“Vetë fakti që festivali është për të drejtat e njeriut mendoj se po i bën njerëzit së bashku, jo vetëm nga Kosova por edhe nga vendet e tjera të cilët  po e bëjnë edhe  festivalin por edhe frymën e tij të njohur edhe jashtë Kosovës,” tha ajo për KALLXO.com

Selmani tha se festivali është i hapur për të gjithë njerëzit në çdo aspekt dhe jo vetëm në aspektin kulturor.

“E rëndësishme është që kemi persona nga Ballkani dhe Evropa të cilët po na ndihmojnë jo vetëm në organizim por edhe në promovimin sa më të madh të drejtave të njeriut,” tha ajo.

Festivali, përveç që është rezultat i punës së njerëzve nga vendet e ndryshme, po bën së bashku publikun kosovarë me atë të huaj.

Maria Francesca Ferrati e cila kishte ardhur nga Klina dhe Vittoria Berti nga Prizreni për të qenë pjesë e festivalit thanë për KALLXO.com së po u pëlqen fakti se gratë po mblidhen dhe po diskutojnë së bashku për çështje kulturore.

Italiania Maria Francesca Ferrati e cila po qëndron në Kosovë që një vit duke bërë punë vullnetare për të promovuar te drejtat e grave në ekonomi, tha se është e rëndësishme që po diskutohen këto tema.

“Është shumë mirë që po diskutohet për të drejtat e njerëzve dhe grave dhe sidomos që kjo po ndodh këtu pasi që është një promovim shumë i mirë për Kosovën,” tha Ferrati.

Vittoria Berti tha se është hera e dytë që bëhet pjesë e festivalit, i cili sipas saj përveç promovimit të kulturës dhe kontributit të grave po bën së bashku njerëzit.

“Sot mësuam sesa e vështirë ka qenë të organizohet një festival që ka pasur si qëllim promovimin e kontributit që japin gratë në fushën e kulturës, por edhe ndamë ide se si mund të organizohet një i tillë,” tha Berti.

“Femart” ka filluar mbrëmë me 25 maj dhe do të vazhdojë deri me 30 maj kur do të mbahet edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve.

http://kallxo.com/tejkalimi-art-problemeve-te-grave/