Federata Aeronautike e Kosovës mohon të jetë paguar nga Qeveria për performancën e 17 shkurtit

Federata Aeronautike e Kosovës ka njoftuar se të gjitha parashutat dhe pajisjet përcjellëse që kanë performuar në paradën për Ditën e Pavarësisë janë prona personale të secilit pilot që ka bërë fluturimin dhe nuk janë pronë e Federatës apo e ndonjë organizate tjetër.

Në këtë njoftim thuhet se këto parashuta nuk janë dizajnuar veçanërisht për Ditën e Pavarësisë por ato janë pajisje ekzistuese, që prej vitesh i posedojnë këta pilotë dhe i përdorin për fluturime.

“Federata Aeronautike e Kosovës, konfirmon se asnjë nga paragllajdistët që kanë performuar në këtë paradë për Ditën e Pavarësisë nuk janë paguar për përformancën e tyre. Të gjithë paragllajdistët këtë performancë/fluturim e kanë bërë në baza vullnetare dhe pa asnjë kompensim nga Federata apo nga ndonjë organizatë tjetër”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se Federata Aeronautike e Kosovës ka shpenzuar vetëm 800 euro për shpenzimet operacionale për realizimin e paradës për Ditën e Pavarësisë.

Me këto mjete Federata Aeronautike thuhet se ka mbuluar transportin e të gjitha pajisjeve të nevojshme për fluturim (parashuta, motor, aksesore) dhe të pilotëve në Prishtinë, shpenzimet për lëndën djegëse të motorëve dhe një drekë për të gjithë pilotët dhe pjesëmarrësit që kanë ndihmuar në realizimin e këtij aktiviteti.