Bekim Blakaj nga FDH - Foto: KALLXO.com

FDH: Ngjarjet në Likoshan e Qirez Shënojnë Fillimin e Luftës në Kosovë

Në 20-vjetorin e masakrave në Qirez dhe Likoshan, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDH) ka mbajtur një ligjëratë publike në të cilën u prezantuan të dhëna për viktimat.

Bekim Blakaj, drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare tha 28 shkurti i vitit 1998 është dita e fillimit të luftës në Kosovë.

“Në bazë të dokumenteve që ka poseduar Tribunali i Hagës kanë ardhur në përfundim se  dita e fillimit të Luftës në Kosovë është 28 shkurti i vitit 1998, saktësisht para 20 viteve. Sipas Tribunalit të Hagës për herë të parë në mënyrë frontale janë ballafaquar Ushtria Çlirimtare e Kosovës me forcat serbe në Likoshan dhe Qirez dhe kjo e shënon njëkohësisht fillimin e luftës në Kosovë”, tha Blakaj.

Ai shtoi se Fondi për të Drejtat Humanitare ka mbledhur të dhëna për një kohë të gjatë për viktimat dhe të zhdukurit gjatë luftës në Kosovë.

“Burimet tona kanë qenë të ndryshme. Kemi marrë shumë material nga Tribunali i Hagës. Pastaj kemi bërë intervista me familjarët e viktimave, me dëshmitarët okularë, me të mbijetuarit dhe për të qenë të sinqertë kemi pasë nevojë që pas 20 viteve punë për mbledhje të këtyre të dhënave të organizojmë diçka për përkujtim të viktimave dhe t’i mbajmë mend ashtu siç kanë qenë”, tha Blakaj.

http://kallxo.com/kujtohet-masakra-e-likoshanit-dhe-qirezit/

Në këtë ligjëratë u fol edhe për betejën në vendin që njihet si “6  Lisat” në Likoshan, për të vrarët e familjes Ahmeti nga ky fshat dhe të vrarët në Qirez.

“Në Qirez kanë ndodhur katër ngjarje të ndryshme dhe si rezultat kanë mbetur 13 persona të vrarë, nga ta 10 civilë, një pjesëtar i UÇK-së dhe dy policë serbë. Ngjarja ka filluar në familjen Nebihu e cila është familja e parë në të cilën kanë hyrë forcat serbe”, theksoi ai.