Fazliu: Femrat të Përkrahen Njëjtë si Meshkujt

Trajnerja e parë femër e licencuar nga UEFA në Kosovë, Afërdita Fazliu, në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ e vlerëson si shumë të rëndësishme përkrahjen e talentit femëror në sport.

Klubi i femrave ‘Hajvalia’ ka arritur të kualifikohet për gara ndërkombëtare ndërsa gazetari i mirënjohur kosovar i sportit, Andin Lokaj, ka përgatitur një reportazh për Qëndresa Krasniqin, lojtaren e këtij klubi që ishte edhe futbollistja e vitit për 4 vite rresht.

Për këtë arsye, Afërdita Fazliu bën thirrje që të mbështetet financiarisht klubi “Hajvalia’, duke marrë parasysh suksesin që ka arritur për herë të parë në historinë e futbollit të femrave në Kosovë.

“Po kërkoj nga Federata, nga Ministria, edhe nga komuniteti i biznesit, që ta mbështesin klubin ‘Hajvalia’, për shkak se merr pjesë për herë të parë në Ligën e Kampionëve”, tha ajo.

Përveqç kësaj Fazliu kërkoi përkrahje të barabartë për futbollin e femrave si të meshkujve, “duke pasur parasysh se femrat kanë treguar rezultate më të larta në këtë sport”.

“Të gjitha rezultatet më kulmore në Kosovë i kemi nga femrat. Unë kërkoj që definitivisht sporti i femrave të trajtohet mundësisht njëjtë sikur sporti i meshkujve sepse po dëshmohet që kemi talent”, vlerësoi Fazliu.