Gjykimi për prostitucion, Gjykata Themelore e Gjakovës

Fazli Hoti dhe Besim Gashi dënohen me nga një vit burgim me kusht për prostitucion

Gjykata e Gjakovës i ka shpallur fajtorë të akuzuarit Fazli Hoti dhe Besim Gashi, me dënim me kusht në kohëzgjatje prej 1 viti, i cili dënim nuk do të ju ekzekutohet nëse të njëjtit brenda dy viteve nuk kryejnë vepra tjera penale. Poashtu gjykata  të akuzuarit Fazli, ia shqipton dënimin me gjobë në shumë prej 600 euro, ndërsa të akuzuarit Besim dënimin me gjobë prej 800 euro.

Hoti e Gashi akuzoheshin nga Prokuroria për veprat penale që ndërlidhen me prostitucionit.

Sipas Aktakuzës të dyshuarit Besim Gashi dhe Fazli Hoti, kanë kryer veprën penale të mundësimit të prostitucionit dhe veprën penale të ofrimit të lokaleve për prostitucion.

Në seancë mbrojtja e të akuzuarve ia paraqiti gjykatës marrëveshjen e arritur për pranimin e fajësisë.

Prokurori i shtetit Ramiz Buzhala, kërkoj nga gjykata që këtë marrëveshje me të akuzuarit ta pranoj si të tillë.

Mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Isa Osdautaj dhe Nexhmedin Gashi, thanë se kjo marrëveshje është bërë me vullnet të plotë të të akuzuarve pa ndikimin e askujt.

Të njëjtit kërkuan nga gjykata që marrëveshjen lidhur me pranimin e fajit ta pranoj dhe ta perceptojnë në mënyrë të drejtë.

Pasi që të akuzuarit u njoftuan edhe njëherë për të drejtat e tyre nga gjyqtari Mentor Bajraktari, të njëjtit u deklaruan të fajshëm.

Të akuzuarit Gashi dhe Hoti u deklaruan të fajshëm për veprën për të cilën ju ngarkohet dhe njëkohësisht i kërkuan falje të dëmtuarës, e cila ishte prezentë.

Pas kësaj Gjykata me aktvendim, pranon marrëveshjen e arritur në mes të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre me Prokurorinë.

E dëmtuara L.B., tha se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe as nuk kërkoj kompensim të dëmit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Fazli Hoti në fshatin Rugovë të Gjakovës në mars të vitit 2015, me qëllim te prostitucionit ka organizuar të dëmtuarën L.B., që ditën kritike arrin marrëveshje me simulantin e rastit duke i ofruar shërbime seksuale në këmbim të vlerës prej 40 euro si dhe 20 euro për të paguar hotelin.

Në këtë rast Hoti, arrestohet në flagrancë nga zyrtarët policorë, të cilën kanë qenë në operim të rastit.

Me këto veprime sipas Prokurorisë Hoti është dyshuar të ketë kryer veprën penale mundësim ose detyrim në prostitucion, të paraparë me nenin 241 të KPRK-së.

Ndërsa, i akuzuari Besim Gashi, nga muaji nëntor e deri në mars të vitit  2015, ka ofruar lokalin e tij me qëllim të ofrimit apo mundësimit të shërbimeve seksuale me të dëmtuarën L.B.”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë të ngritur me 9 nëntor 2015.