Faton Topalli e Ismajl Kurteshi Mbeten në Paraburgim

Mbrojtësit e Topallit dhe Kurteshit ishin ankuar ndaj shqiptimit të paraburgimit prej një muaji ndaj këtyre dy deputetëve të “Vetëvendosjes” më 14 dhjetor.

“Të premten, me 18.12.2015, një kolegj penal prej tre gjyqtarësh nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit me anë të dy vendimeve të ndara, ka refuzuar ankesat e avokatëve mbrojtës kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji, ndaj të pandehurve Faton Topalli dhe Ismajl Kurteshi,” thuhet në komunikatën e lëshuar nga Gjykata e Apelit.

Apeli në komunikatë bën me dije se masa e shqiptuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë ndaj Topallit e Kurteshit para një jave, ishte e drejtë, pasi këta dy deputetë e kishin thyer masën e arrestit shtëpiak.

Kurteshi mori pjesë në tubimin opozitar në Gjilan, duke mbajtur fjalim gjatë tij, edhe pse duhej të qëndronte në arrest shtëpiak në kohën kur mbahej manifestimi.

Masa e arrestit shtëpiak Kurteshit i ishte caktuar, pasi dyshohej për aktivizim të gazit lotsjellës në seancën e Kuvendit të Kosovës më 30 nëntor.

Atë ditë Kurteshi e pranoi se aktivioi gazin, duke thënë se me këtë veprim “po i bënte një argat këtij vendi

Arrest shtëpiak për të njëjtën arsye i ishte caktuar edhe Faton Topallit, pas arrestimit të tij më 8 dhjetor.

Edhe Topalli si Kurteshi e kishte thyer masën e arrestit shtëpiak duke marrë pjesë në seancën e Kuvendit më 14 dhjetor. 

Faton Topalli dyhohet për përdorim të armës, apo mjetit të rrezikshëm dhe mbajtje në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve, ndërsa Ismajl Kurteshi për përdorim të armës, apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare. .

Sot Gjykata Supreme caktoi masën e arrestit shtëpiak ndaj deputetëve Albin Kurti e Albulena Haxhiu, duke shfuqizuar për ta masën e paraburgimit.