Fati i Ligjit për OJQ-të mbetet në duart e deputetëve

Pasi kishte marrë marrë qëndrimin e dhjetra OJQ-ve të Kosovës rreth Ligjit për Lirinë e Asocimit në Organizata Joqeveritare, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës muajin e kaluar, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, javë më parë e kishte kthyer në rishqyrtim këtë dokument duke kundërshtuar disa nene të tij.

Brenga kryesore e grupit të OJQ-ve është që me ndërrimet e sugjeruara nga iniciativa e Nait Hasanit, OJQ-të e regjistruara si institucione mikrofinanciare mund ta privatizojnë kapitalin e fituar si OJQ, që nënkupton se mjetet e fituara për interes të përgjithshëm publik mund të shkojnë ne xhepa privatë. Iniciativë të tillë ka pasur para disa viteve e cila ishte përkrahur nga lobi mikrofinanciar në Kosovë qe shtyn përpara privatizimin e aseteve të krijuara si OJQ, gjë që është kundër praktikave europiane

Sipas Zyrës së Presidentit, praktikat e mira të regjistrimit të OJQ-së promovojnë procedura të thjeshta, të shpejta dhe pa pagesë, jo procedura të vështira.

Por këto propozime sot në Komisionin për Administratë publike nuk u përkrahën nga anëtarët e këtij komisioni, kështu duke e lënë fatin e këtij projektligji në duar të 120 deputetëve.

Këtë veprim të komisionit përkatës përfaqësues të shoqërisë civile e kanë quajtur të rrezikshëm.

Drejtor i Programit në Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Taulant Hoxha tha për KALLXO.com se dërgimi i këtij projektligji në Kuvend pa përkrahjen e komisionit përkatës rrezikon shoqërinë civile.

“Kthimi i këtij Ligji nga presidenti është hap i duhur dhe  është bërë edhe me kërkesë tonë edhe të OJQ-ve të tjera dhe mendoj se mos përkrahja e këtyre propozimeve nga ana e komisionit pak a shumë rrezikon edhe shoqërinë civile. Vendimi i komisionit i hap rrugë rrezikimit të sektorit të shoqërisë civile në përgjithësi, e di se instuticionet mikrofinancare janë të përfshira në to dhe përmenden por ka edhe OJQ të tjera”, tha Hoxha duke shtuar se shpreson që ky ligj të marrë përkrahje nga ana e deputetëve të tjerë.

“Unë pres që deputetët e Kuvendit të Kosovës që janë në numër 120 të jenë më të vëmendshëm sesa disa anëtarë të Komisionit për Administratë Publike dhe t’i japin përkrahjen e duhur propozimeve të Presidentit sepse përndryshe do të dëmtohemi”, tha Hoxha për KALLXO.com

Ndërsa, kryetari i komisionit për Administratë Publike dhe Media, Nait Hasani, tha se komisioni ka punuar për këtë ligj që të jetë sa më i mirë dhe se është model gjerman, andaj tha se nuk pajtohet me rekomandimet e Presidentit.

Ai për KALLXO.com shtoi se institucionet mikrofinaciare tashmë do të trajtohen nga ana e Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe se ato do të veprojnë vetëm si banka.

“Komisioni për buxhet dhe financa do të trajtojë çështjen e institucioneve mikrofinaciare me anë të ligjit për këto institucione dhe me anë të trajtimit të tyre që kanë, mikrofinancat do të kalojnë si banka dhe kështu me ligjin për OJQ-të do t’u ndalohet forma se si kanë vepru deri më tash”, tha Hasani për KALLXO.com

Kurse Shqipe Pantina anëtare e këtij komisioni nga PSD tha se për faktin se disa OJQ e kanë shkelur ligjin nuk duhet që të dënohet i gjithë sektori.

“Qëndrimi im qysh prej fillimit ka qenë që institucionet përgjegjëse duhet të veprojnë në mënyrë që t’i qesin para drejtësisë ato organizata që kanë bë shkelje. Nuk do të bëhen private këto organizata nëse ne i marrim parasysh rekomandimet e presidentit dhe me vazhdimësi e kam ngritur zërin për këtë çështje në komision, kam votu kundër këtyre amendamenteve edhe në Komision jam mundu edhe në seancë që ta ngrisë këtë çështje dhe t’ju them kujdes se nuk është në përputhje me praktikat më të mira”, tha Pantina për KALLXO.com.

Ajo po ashtu shtoi se do të mundohet që këto propozime të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi të marrin votimin në seancën plenare.

“Unë ju garantoj se PSD do t’i mbështes propozimet në seancë por do të mundohem të bisedoj edhe deputetët të tjerë sepse janë rekomandime të drejta pa marrë parasysh se nga kush vijnë. Arsyeja pse e përkrahi është se raportet ndërkombëtare që e masin lirinë e dmokracisë, qoftë lirisë së medias, qoftë lirië së asocimit jam e sigurt se do ta rangonin Kosovën shumë ulët prandaj ka qenë shqëtësimi im shumë i madh për këtë cështje”, tha Pantina për KALLXO.com

Edhe anëtari i komisionit për Administratë Publike, Rasim Selmanaj nga AAK, tha për KALLXO.com se është pro ndryshimeve të këtij ligji me propozimet e presidentit.

“Unë edhe në komision e votova që jam pro këtyre ndryshimeve, sepse këto i ka bërë zyra ligjore dhe pastaj edhe kërkesat e 77 organizatave jo qeveritare dhe mendoj se duhet me ndodh ky ndryshim, kam votu pro dhe jam pro që të ndodh ky ndryshim”, tha Selmanaj.

Ndërsa, anëtari tjetër i këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani tha se i përkrahë vërejtet që i ka bërë presidenca por nuk i përkrah propozimet pasi sipas tij, ai nuk ka të drejtë kushtetuese të propozojë amadamente.

“Unë i përkrahi vërejtjet që i ka bërë presidenca në rastin e kthimit të Projektligjit Nr 06/L 043  për lirinë e Asocimit në Organizata Joqeveritare, mirëpo në asnjë mënyrë nuk e përkrahim propozimet për amandamentim të Projekt Ligjit për faktin se Presidenti nuk ka të drejtë kushtetuese të propozojë amandamente të projektligjit në fjalë. Miratimi i propozimeve të bërë nga presidenti për amandamentimin e projektligjit do të konsiderohej si një precedent i rrezikshëm me të cilën krijohet një e drejtë antikushtetuese që presidenti në të ardhmen të amandamentoj ligje të tjera në kundërshtim të plotë me kompetencat e tij kushtetuese”, tha Ramadani për KALLXO.com.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdim në lidhje me këtë çështje:

Komisioni nuk aprovon rekomandimet e presidentit për Ligjin për OJQ-të

 

Presidenti ia kthen Kuvendit Ligjin për OJQ