Ballina e web-faqes së Komunës së Lipjanit

Faqja e Komunës së Lipjanit Plot Gabime Drejtshkrimore

Faqja zyrtare në internet e Komunës së Lipjanit, e krijuar në mënyrë që Komuna të tregohet më transparente karshi qytetarëve, nuk i ka kushtuar kujdes drejtshkrimit.

Sidomos në biografitë e udhëheqësve të Komunës vërehen shumë gabime drejtshkrimore.

Rreth kësaj çështjeje KALLXO.com ka biseduar me disa prej tyre.

Drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Basri Hashani, tha se gabimet drejtshkrimore nuk janë në përgjegjësinë e tij.

“Sigurisht këto gabime drejtshkrimore kanë ndodhur për shkak të shpejtësisë, mirëpo unë nuk e kam shkruar CV-në, unë i kam treguar kualifikimet e mija dhe mbaj përgjegjësi vetëm nëse ka ndonjë problem apo diçka që konsiderohet si e pavërtetë”, tha ai për KALLXO.com

Drejtori i Administratë, Fauz Xhemajli, tha se CV-në e ka dërguar vetë dhe e pranon përgjegjësinë për gabimet drejtshkrimore.

“Unë kam ardhur drejtor më vonë edhe e kam përgatitur CV-në pasi që ma kanë kërkuar. CV-në e kam dërguar vetë dhe në qoftë se unë kam gabime kjo sigurisht ka ndodhur për shkak të gabimeve të mia”, tha ai për KALLXO.com

Në disa nga CV-të e udhëheqësve të Komunës është shënuar gabim edhe emri i komunës, ku në vend të Lipjan është shënuar Lypian.

Bukurie Zejnullahu, zyrtare për marrëdhënie për publikun, ka treguar se CV-të i kanë shkruar vetë udhëheqësit komunalë.

“CV-të e udhëheqjes komunale janë të publikuara në web-faqen zyrtare të Komunës në atë mënyrë se si i kanë dërguar ata. Ne si zyrë e informimit nuk kemi obliguar me ndonjë formë të veçantë për CV dhe ata i kanë punuar sipas formës apo dëshirës së tyre dhe të njëjtat i kemi publikuar”, tha ajo për KALLXO.com

Zejnullahu tha se Zyra për Marrëdhënie me Publikun do të kontaktojë me udhëheqjen komunale dhe do t’i evitojë gabimet teknike apo gjuhësore të cilat janë vërejtur.

Biografitë e udhëheqësve të Komunës së Lipjanit së bashku me gabimet drejtshkrimore mund të gjenden në faqen zyrtare të Komunës, duke klikuar sidomos te Administrata.