Fakulteti i Edukimit refuzon temat e diplomave të 20 studentëve

Njëzet studentëve të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” të Fakultetit të Edukimit, gjatë ditës së sotme iu është refuzuar e drejta për të mbrojtur temën e diplomës së nivelit të Bachelor-it, si pasojë e gabimeve tenike dhe përmbatjesore.

Prej 200 studentëve që kanë qenë në listë të diplomojnë në afatin e qershorit, 20 prej tyre janë hequr nga lista dje rreth orës 20:00 të datës së 11 korrikut. Studentëve iu është përcjellë një listë nëpër rrjete sociale me emrat e të cilëve nuk kanë të drejtë të diplomojnë.

Lista ka të cekura katër arsye përgjithësuese të cilat vlejnë për të njëzet studentët: mosrespektimi i doracakut të fakultetit, mosndërlidhja me programet e studimeve, përsëritja e temave, si dhe kopjimi.

Studentët raportuan në KALLXO.com duke thënë se pavarësisht mentorimit të temës në vazhdueshmëri nga profesori, atyre nuk iu ishte tërhequr vërejta për mangësitë brenda saj.

Studentja e programit fillor, Leonora Berisha për KALLXO.com thotë se gjatë procesit të punimit të temës, mentori çdo herë e ka lavdëruar për punën në temë, prandaj edhe është befasuar me lajmërimin një ditë para datës së diplomimit që nuk i lejohet ta mbrojë atë.

“Profesori na ka thënë se gjithçka është në rregull. I kemi kryer të gjitha procedurat, por rreth orës tetë apo nëntë e mbrëmjes është publikuar një listë e cila thoshte se studentët të cilët nuk I kanë emrat aty s’mund të diplomojnë. Kur e kam thirrë mentorin më ka thënë se arsyeja e anulimit është banale dhe kanë vendosur në moment të fundit duke u arsyetuar se temat kanë dalur jashtë programit dhe se janë përsëritje e temave. Për asnjë student vendimet nuk kanë qenë të detajuara, por kanë formuluar një listë të përgjithshme me arsyet e njëjta.”, tha Berisha.

Ajo tregon që pas publikimit të listës ka kontaktuar me mentorin e saj i cili nuk kishte qenë në dijeni për një listë të tillë.

Por edhe afati kohor kur këta studentë janë lajmëruar, për këtë studente është i papranueshëm.

“Mentorët nuk kanë qenë të informuar deri në momentin e fundit. Mbrëmë na kanë lajmëru sepse me të lajmëru një javë më përpara është në rregull. Nëse temat tona kanë qenë gabim përse mentorët të mos na lajmërojnë më herët, unë kam bërë gjashtë muaj hulumtim, e kam temën e gatshme. Unë e kam kryer edhe Masterin në Sociologji por kam ardhur të studiojë edhe këtu sepse s’kam gjetur vend pune. Neve s’na kanë dhënë asgjë me shkrim. Profesorët tanë s’kanë qenë në komision. Ne kemi pyetur edhe në Ministrinë e Arsimit, nuk kishin të drejtë me na i largu temat pa u konsultuar me mentorin”, tregon ajo.

Majlinda Gjelaj, prodekane për çëshje mësimore në Fakultetin e Edukimit, për KALLXO.com thotë se ky fakultet posedon një doracak që ndihmon studentët të punojnë temën e diplomës dhe iu është kërkuar mentorëve që të punojnë në bazë të tij.

Ajo tregon se komisioni prej tre anëtarësh i formuar për shqyrtimin e temave të 200 studentëve për këtë afat ka qenë i stërngarkuar, prandaj edhe ka pasur lëshime.

“Fakulteti I Edukimit prej vitit të kaluar e ka krijuar një doracak edhe ka kërkuar prej stafit që ta respektojnë atë doracak që ndihmon me e hartu një temë të mirë në Bachelor. Është udhëzues I qartë dhe I thjeshtë që ndihmon studentit. Ne nuk kemi dashur që të jemi pjesë e storieve nëpër media ku flitet për tema të plagjiaturës apo tema që iu ndërrohen vetëm kopertinat dhe kemi ndërmarrë hapa parandalues megjithatë në Fakultetin e  Edukimit ka pasur një anarki dhe një numër të studentëve shumë të madh me 700 student vetëm në një program dhe me një staf të vogël.

Këtë afat kemi kërkuar prej studentëve që me apliku për temë të diplomës, jo me ardh me mbrojt diplomën ditën e diplomës me ardh me tri kopje me ja nda komisionit qysh ka ndodhë në të kaluarën. I kemi pasur 200 kërkesa për këtë afat për mbrojtje të diplomës, e kemi formu një komision prej tre anëtarësh për dy programet parashkollor dhe fillor, i cili ka pasur shumë punë dhe deri ditën e djeshme nuk kanë mbrri me I shqyrtu të gjitha temat.”, tha Gjelaj për KALLXO.com.

Njëri ndër 20 studentët të cilit iu është refuzuar mundësia për ta mbrojtur temën e diplomës, në kushte anonimiteti tregoi për KALLXO.com se në mbrëmjen e së djeshmes(11 korrik) është informuar për pamundësinë e mbrojtjes së temës për këtë afat.

“Ne dje në orën 18:00 e kemi pasur emrin në listën e studentëve që kanë me diploma, por pas 10 minutash na kanë lajmëru që nuk mundemi em u diploma. Mentori më ka thanë që ka ardhur vendimi prej dekanatit dhe kurgjo tjetër. Kemi kontaktu edhe me Deklanatin ata na kanë thënë se në ora 16:00 me prit vendimin”, tha ai.

Mirëpo, sipas prodekanes, këta 20 studentë nuk e kanë respektuar doracakun e fakultetit, ka pasur tema të cilat nuk kanë përmbajtur hulumtime, si dhe nuk janë përshtatur në përmbajtje me programin që e kanë studiuar, prandaj edhe kanë reaguar edhe pse me vonesë.

Gjelaj gjithashtu tregoi se për këtë çështje është informuar rektori dhe se pritet vendimi për këta profesorë të cilët kanë pasur lëshime në temat e diplomave të studentëve që kanë mentoruar.

“I kemi identifiku 20 tema të cilat nuk I kanë plotësu standardet ose kriteret. Pra nuk e kanë respektu doracakun, pra ka pasur tema që nuk kanë hulumtime ose tema që hulumtimi nuk ndërlidhet me temën. P.sh. Ujërat e ndotura dhe teknologjitë e trajtimit të tyre, ose Moti dhe parashikimi i tij në programin parashkollor. Këto janë tema që nuk kanë ndërlidhje me programin fillor.

Në fakultetin tonë janë tre ose katër mentorë, të cilët nuk e kanë respektu doracakun dhe kërkesat e fakultetit sepse kanë qenë të stërngarkuar. Gjelaj thekson se kjo nuk duhet të ndikojë në uljen e reputacionit të tyre sepse siç deklaron ajo, ka pasur tema shumë të mira që janë mentoruar nga të njëjtët profesorë.

Ne e kemi informuar rektorin, mirëpo nuk është marrë ende ndonjë vendim. Nuk duam pajtjetër t’I dënojmë sepse paska ndodhur një gabim i tillë, megjithatë ne e parandaluam situatën. Komu nikuam me studentët, ju dhamë një afat shtesë për t’I korigjuar temat dhe ju dhamë modele të tjera, dhe kanë dy javë kohë që t’i përgadisin në mënyrë që të mos u ik konkursi për punësim”, deklaroi Gjelaj.

Prodekania e Fakultetit të Edukimit, tha për KALLXO.com se insiston në fshehjen e identitetit të këtyre profesorëve që shkaktuan këtë tollovi sepse duan t’iu japin një mundësi për t’u përmirësuar.

“Nuk mund t’ua japim emrat sepse as në listën e publikuar nuk I kemi cekur për shkak të kolegialitetit dhe me shpresën që nuk do të ndodh asnjëherë. Do t’u japim atyre një shansë. Në shtator do t’I shikojmë të gjithë profesorët nëse I kanë plotësu këto standarde.”, përfundon ajo.

Pas takimit që patën studentët me komisionin i cili kishte kontrolluar temat, thonë se u morr vendim që disa prej këtyre studentëve në temat e tyre të ndryshojnë titujt dhe literaturën, e disa të tjerë përmbajtjen.

Atyre u premtua që të hënën (16 korrik) do të mund të diplomojnë me tema të përmirësuara.