Idriz Vehapi, kryetar i komunës së Rahovecit

Fakte të Shpejta për Rahovecin

Idriz Vehapi ka përfunduar vitin e dytë në krye të Rahovecit, në këtë komunë ku pjesa dërmuese e popullsisë merren me bujqësi.

Ai ka ardhur në krye të komunës në zgjedhjet për kryetar të komunës të vitit 2013 duke e mundur ish- kryetarin Smajl Latifi të AAK-së.

Vehapi kishte premtuar investime më së shumti në bujqësi. Premtimi që mbahet mend më së shumti ishte ai i bërë nga ish kryetari i partisë së tij, Hashim Thaçi, për investimin e 60 milionë eurove për katër vitet e mandatit. Për dy vjet, ky premtim nuk është realizuar as 10 për qind.

Kjo është komuna e Rahovecit, në disa fakte, nën drejtimin e Idriz Vehapit:

Kryetari Idriz Vehapi është në koalicion me LDK-në me të cilët bëjnë shumicën e asamblesë.

1. Komuna e Rahovecit është komuna që merret më së shumti me bujqësi.

2. Për t’i përmbushur kërkesat politike të koalicionit, Idriz Vehapi ndryshoi edhe statutin e komunës duke e shtuar një drejtori, atë për mbrojtje dhe shpëtim, të cilën e mori LDK-ja.

3. Idriz Vehapi fitoi zgjedhjet për kryetar të komunës me premtimin e Hashim Thaçit për 60 milionë euro investime në komunë. Tani Vehapi arsyetohet se 60 milionët nuk kanë ardhur shkaku që Thaçi më nuk është kryeministër, pavarësisht se ai dhe PDK kontrollojnë gjysmën e qeverisë qendrore. Deri më tani, vetëm 4.4 milionë euro janë investuar prej 60 milionëve të premtuar.

4. Deri në dorëheqjen e Drejtorit Komunal të Arsimit, Rahoveci nuk kishte asnjë drejtori që udhëhiqej nga femrat.

5. Kur dha dorëheqje Drejtori i Arsimit, më në fund u lëshua vendi që drejtor i një drejtorie të bëhet një femër. Vjollca Vuçiterna u caktua drejtoreshë e arsimit prej datës 11 mars 2015.

6. Drejtori i Arsimit dha dorëheqje me 5 mars 2015. Para se të dorëhiqej ai e punësoi vajzën e vëllait dhe vajzën e motrës si mësimdhënëse.

7. Më 23 shtator 2014, zyrtari komunal për pagesa Hasan Hoti arrestua nga policia pasi që dyshohet se për tri vjet rresht kishte paguar energjinë elektrike të dy banesave të veta me paratë e komunës.

8. Për ta ndaluar pirjen e duhanit, në komunë ishte hapur një zyrë e posaçme për pirjen e duhanit. Tani kjo zyrë më nuk ekziston.

9. Idriz Vehapi ka dhënë subvencione në kundërshtim me rregulloret e brendshme. Subvencionet mbi 2000 euro duhet të aprovohen në asamblenë komunale. Kryetari ia ka dhënë SH.K.A “Anadrinia” 3,500 euro pa e pyetur asamblenë.

10. Vajza e asamblistit të PDK-së, Rasmi Fazliu, është punësuar si zyrtare për protokoll në zyrën e kryetarit të komunës.

11. Beatrise Pista – Demiri, asambliste e PDK-së, po vepron në kundërshtim me ligjin pasi është në të njëjtën kohë edhe ushtruese e detyrës së drejtorit në shkollën “Mihal Grameno”, tani “Bekim Sylka”.

12. Palestra Sportive e nisur në vitin 2008 po njihet ndryshe edhe si “Kalaja e Rozafatit”, pasi që ende nuk ka përfunduar.

13. Asambleja e Komunës së Rahovecit gjatë thirrjes së seancës së jashtëzakonshme gjatë muajit shkurt ka shkelur ligjin për Vetëqeverisje Lokale. Thirrja e seancës me pikë të vetme të rendit të ditës dhe shtimi i dy pikave të reja në rend dite është shkelje ligjore të nenit 44.3 të LVL-së i cili se “pikat e caktuara në rendin e ditës për mbledhjet e jashtëzakonshme, nuk mund të ndryshohen gjatë mbledhjes”.

14. Inspektorati i Arsimit kishte gjetur një mal shkelje procedurale në konkurset e arsimit si pjesëmarrja në intervista e vetë drejtorit të Arsimit, mosnënshkrimi i procesverbaleve nga të gjithë anëtarët e komisionit, konkursi ka qenë i hapur 7 e jo 15 ditë si është i përcaktuar me udhëzim dhe nuk ishte bërë paralajmërim para skadimit të kontratës së mësimdhënësve.

15. Idriz Vehapi ka premtuar themelimin e zyrës për përkrahjen e bizneseve, që është obligim i Komisionit Evropian, por nuk e ka bërë ende këtë. Thotë se duhet të ndryshohet Statuti i komunës për ta themeluar një zyre të tillë. Përderisa themelimin e kësaj zyre e zhagit, nuk ishte vonuar aspak ndryshimi i statutit të komunës për ta kënaqur partnerin e koalicionit, LDK-në, kur e kishte ndryshuar statutin në fillim të mandatit për t’i bërë një drejtori shtesë partnerit në koalicion lokal, LDK-së.

http://kallxo.com/kalaveshet-e-kalbur-te-premtimeve-parazgjedhore-ne-rahovec/