Fakte të Shpejta Për Obiliqin

Xhafer Gashi, kryetar i komunës së Obiliqit, doli para asamblistëve të komunës së tij në emisionin “Jeta në Komunë” për t’u përgjigjur rreth atyre që ka bërë dhe nuk ka bërë gjatë dy viteve të qeverisjes së tij në këtë komunë.

Njëra nga komunat më të ndotura të Kosovës pret dorën e qeverisë qendrore për t’ia lehtësuar jetën nga pluhuri që lirojnë termocentralet e vjetruara që e furnizojnë Kosovën me energji elektrike.

Por, përveç ndotjes, opozita e akuzon Gashin edhe për parregullsi tjera gjatë qeverisjes së tij.

Gashi, një biznesmen lokal, në zgjedhjet për kryetar të komunës të vitit 2013 kishte mundur Mehmet Krasniqin e LDK-së, në raundin e dytë të votimeve.

Për ta marrë këtë pozitë, aikishte bërë një varg premtimesh para elektoratit gjatë fushatës dhe debateve zgjedhore televizive.

http://kallxo.com/legjendat-e-urave-te-premtuara-te-obiliqit/

Më poshtë janë disa fakte që e karakterizojnë qeverisjen e Xhafer Gashit në Obiliq:

1. Buxheti i komunës së Obiliqit për vitin 2014 ka qenë 4,567,669.00 euro.

2. Buxheti i komunës së Obiliqit për vitin 2015 ka qenë 5,046,183 euro.

3. Komuna e Obiliqit ka rreth 22.500 banorë

4. Komuna e Obiliqit është një nga komunat më të ndotura në Kosovë.

5. Ligji për Obiliqin ka kaluar në lexim të parë në Kuvend.

6. Ura në mes fshatrave Hamidi-Plemetin ende nuk është ndërtuar. Këtë vit për të do të ndahen 250 mijë euro.

7. Ura mbi lumin Llap në fshatin Raskovë ende nuk është ndërtuar. Kryetari premton se do të realizohet në vitin 2017.

8. Shtëpia e Kulturës ende nuk është realizuar. Punimet pritet të fillojnë gjatë vitit.

9. Ende nuk janë ndërtuar shkollat në fshatrat Babimovc dhe në Lajthishtë  të premtuara gjatë fushatës zgjedhore.

10. Kryetari Xhafer Gashi ka përmbushur premtimin e mbjelljes së fidanëve për gjatë rrugës Shkabaj-Obiliq dhe rrugës Obiliq-Milloshevë.

11. Komuna e Obiliqit është një nga komunat që ka ndarë më së shumti bursa, gjithsej 50.

12. Rrethrrotullimi i premtuar në udhëkryqin ku lidhet rruga e fshatin Dardhishtë me rrugën Shkabaj-Obiliq nuk është ndërtuar ende.

13. Obiliqi nuk ka drejtori komunale për bujqësi.

14. Kunata e Drejtoreshës Komunale për Kulturë është punësuar në këtë drejtori.

15. Dy vajzat e Drejtorit të Arsimit janë punësuar gjatë këtij mandati; njëra në komunë e tjetra në arsim.